Trafikuan 485 kg kokainë nga Kolumbia, SPAK identifikon grupin dhe zbulon detajet

Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim sipas SPAK, të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal prej 10 personash që trafikuan nga Kolumbia në Shqipëri 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik, krim për të cilin u dënuan me 89 vite burg në total nga Gjykata e Posaçme në qershor të vitit 2024. Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola janë arrestuar nga blutë pasi Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK lëshoi masën e sigurisë “arrest në burg”. Në kërkim janë shpallur Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi. Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar: 1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018; 1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012; 1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012; 1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017; 2 aparate celularë.

Njoftimi i plotë nga SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka zhvilluar veprime të mëtejshme hetimore në kuadër të procedimit penal nr/141/1.1 i vitit 2026 (pa autor) që lidhet me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më datë 4.3.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 11, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 5 personave nën hetim dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Procedimi penal nr. 141/1.1 të vitit 2026 rrjedh nga procedimet penale nr. 141 të vitit 2022 dhe nr. 141/1 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme.

Më herët, më datë 13.1.2026, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 283/2, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.

Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: N. Gj., V. Ç., D. Ç., K. V. (alias K.), Z. Ç., E. F., R. M., J. M., B. M. dhe M. R., ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, S. R. R.

Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Për rrjedhojë, më datë 19.02.2026, është urdhëruar regjistrimi në procedimin penal i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj., ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, për kryerjen e veprave penale të sipërcituara.

Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar:

1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018;
1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012;
1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012;
1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017;
2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Prokuroria e Posaçme falenderon autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi dhe Kolumbisë, si dhe Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?