Trafikuan heroinë nga Shqipëria në Greqi, arrestohen dy fierakë me urdhër të SPAK
Policia ka arrestuar dy persona të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike. Të arrestuar janë I. Sulaj dhe D. Çela, të dy nga Fieri dhe u vunë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas hetimeve ata rezultojnë se kanë organizuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe më pas drejt vendeve të BE.
Ndaj tyre rendon akuza “trafikim i narkotikëve, kryer më shumë se një herë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”.
“Hetimet në lidhje me këtë procedim penal janë kryer në kuadër te operacionit ‘Kujtesa’, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve të vazhdueshme me autoritetet e Drejtësisë së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nga hetimet e kryera është bërë e mundur mbledhja e provave, mbi bazën e të cilave janë ngritur dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Irfan Sulaj dhe Dëfrim Çela gjatë vitit 2016 në bashkëpunim me lidhjet e tyre kanë drejtuar trafikimin nëpërmjet koordinimit të transportit dhe trafikimit të lëndëve narkotike kryesisht të llojit heroinë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe më pas në vendet e tjera të BE-së,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Urdhrat e arrestit me burg per dy persona janë ekzekutuar dy ditë më parë nga Policia e Shtetit. Ndërkohë për të njëjtat vepra penale janë akuzuar dhe shtetasit me iniciale F.XH. e R.SH.

KOHA JONË SONDAZH

