Tragjedi Kombëtare nga tërmeti, shkon në 18 numri i viktimave
Një tragjedi Kombëtare është numri i të vdekurve nga tërmeti. Sipas raportimeve nga terreni, janë 18 viktima që kanë humbur jetën nga tërmeti që ka shkundur Shqipërinë. Numri i personave që kanë kërkuar ndihmë në spitale ka kaluar 600. Ndërkohë, raportohet se ende ka njerëz nën rrënoja dhe po bëhet përpjekje që t’u ndihmohet pa rënë errësira. Një tjetër person i pajetë është nxjerrë pak minuta më parë nga rrënojat e një prej pallateve të shembura në Thumanë. Është viktima e tretë që regjistrohet në Thumanë, ndërsa personat e tjerë që kanë humbur jetën janë nga Durrësi dhe Kurbini. Një fëmijë dhe një grua nuk i kanë mbijetuar tërmetit. Trupat e tyre janë nxjerrë të pajetë nga forcat e kërkim shpëtimit në zonën e Kënetës në Durrës. Pritet të mësohet identieti i tyre, ndërkohë që vijojnë operacionet për shpëtimin e dhjetra personave të tjerë që dyshohet se janë nën rrënoja në Thumanë dhe Durrës, dy zonat më të prekura.
Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël. Edhe në Durrës ku dëmët janë të shumta, një i pajetë u nxorr nga rrënojat e një pallati të shembur në lagjen numër 18. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i përfshirë nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.
Pas lëkundjes të fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë, shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë. Qytetet si rrallë herë u zgjuan jo nga lindja e diellit, por nga goditjet e forta sizmike të orës 03:53. Fatkeqësisht, një grua e moshuar u zu e gjallë nën rrënoja, teksa me siguri ajo ka qenë në gjumë. Policia vijon kërkimet në rrënojat e hotel Mia Mare në Durrës.