Tragjedia e çiftit Hajdari, aroma e helmit kishte pushtuar dhomën
Ngjarja tragjike e çiftit nga Xhyra e Librazhdit, vijon të mbajë të mbërthyer opinionin publik të zonës. Ende nuk ka një version zyrtar se cilat ishin rrethanat dhe motivet që shtynë çiftin Hajdari të ndërmarrë aktin fatal të vetëhelmit vetëm 5 ditë pas martesës. Rezarta Hajdari 19-vjeç, ndërroi jetë ndërsa bashkëshorti i saj Olsi Hajdari, vazhdon të mbahet në reanimacion dhe mjekët ende nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare ndonëse duket se ka shpresa që të jetojë.
Gjatë ditës së djeshme grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarët dhe të afërm të tjerë. Prindërit kanë deklaruar se çifti shkonte mjaft mirë, një detaj që duket edhe në fotot dhe fjalët që kanë shprehur për njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Prindërit e djalit kanë deklaruar se ata janë gjetur të dy në dhomë, djali me shkumë nga goja dhe nusja pothuajse e pajetë.
Policia dhe Prokuroria nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të llojit të helmit të përdorur. Burime spitalore bënë me dije se helmi i përdorur dyshohet të jetë fostoksinë, nisur edhe nga aroma që lëshon ky helm pas përdorimit. Gjithsesi do të duhet të dalin përgjigjet e ekspertimit shkencor për të përcaktuar llojin e helmit.