Tragjedia e paralajmëruar, viktima denoncoi gardianin tre ditë më parë
Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia me dy viktima që tmerroi banorët e Patosit mesditën e sotme.
Vrasja mendohet se ishte e paralajmëruar pasi vetëm tre ditë më parë viktima Manol Rrapaj kishte bërë kallëzim penal për gardianin Martin Skëndaj në Policinë e Fierit.
Denoncimi i 26-vjeçarit erdhi pasi autori Skëndaj së bashku me babain e tij kishin shkuar për të debatuar me të duke pretenduar se Rrapaj i ngacmonte motrën.
Sipas Manol Rrapajt në momentin që kanë shkuar për tu sqaruar babë e bir kishin me vete edhe mjete prerëse.
Pas denoncimin materialet i kaluan Prokurorisë së Fierit për kanosje, informon gazetarja e Ora News Inelda Vallja.
Por denoncimi nuk parandaloi tragjedinë pasi gardiani vrau dy kushërinjtë Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj në derën e poliklinikës së Patosit.
Konflikti nisi brenda poliklinës por përshkallëzoi më pas në derën e jashtme ku Skëndaj, me armën e shërbimit qëlloi ndaj tyre. 22 vjeçari Kapaj ndërroi jetë në vend, ndërsa 26 vjeçari Rrapaj fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital.
Viktima dhe autori mësohet se kishin shtëpitë përballë njëri-tjetrit.