Tragjedia e parë nga moti i keq, uji merr para një makinë, ku ishin tre persona. Vajza shpëton, ndërsa babë e bir….
Moti i keq ka shkaktuar tragjedinë e parë. Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Ducaj të Malësisë së Madhe, në zonën e Bogës.
Shirat e rrëmbyeshëm kanë marrë përpara një makinë, në të cilën ndodhen babë e bir. Ngjarja raportohet që të ketë ndodhur në vendin e quajtur si “Përroi i thatë”. Ende nuk dihet gjendja e tyre, ndërsa policia dhe forcat e shpëtimit ndodhen në vendngjarje, ndërkohë raportohet se vajza e cila ka qenë në makinë me ta ka arritur të shpëtojë.
Policia e Shkodrës, informacion paraprak:
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësisë e Madhe kanë marrë informacion se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës, babai, djali dhe vajza.
Në momentin që rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P. R., rreth 50 vjeç, vajza ka mundur të dalë dhe është ndihmuar nga një banor i zonës. Vajza ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babanë e vajzës dhe vëllanë e saj i ka marrë rrjedhja e ujit.
Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve, babë e bir.”