Tragjedia me viktimat e virusit, shtetet po i numërojnë gabim. Vetëm një vend është real
Mbi 34 mijë viktima dhe mbi 735 mijë të prekur janë raportuar deri më tani në rang botëror mbi pandeminë e Covid-19 por që të dhënat e raportuara nga shtete të ndryshme të botës po vihen në dyshim. Si duhet që të bëhet numëri tragjik i viktimave? Mënyra e duhur, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, është që të raportohet çdo i prekur dhe viktimë e infektuar nga koronavirusi. Kjo duhet të zbatohet pasi ndihmon në frenimin e përhapjes.
Pas zërave nga Wuhani se flitet për 42 mijë viktima dhe jo 5 mijë, këtë herë individë të ndryshëm në rrjete sociale po akuzojnë Gjermaninë dhe Vendet e Ulëta se “po fshehin trupat e pajetë nën tapetin e statistikave”. Në Mbretërinë e Bashkuar, familjarët pyetën nëse i afërmi i tyre, që humb jetën nga Covid-19, mund të përfshihet në bilancin zyrtar. Epidemiologët paralajmërojnë se viktimat nga koronavirusi i ri nuk po shënohen siç duhet. Të gjitha shtetet kanë diçka të përbashkët.
Polemikat në Francë fokusohen tek rastet që nuk futen në statistika, që janë të gjitha vdekjet që ndodhin jashtë spitaleve. Kurse në Spanjë, ku vendi është bërë zonë e kuqe e virusit, zyrtarët e shëndetësisë nuk përfshijnë në bilanc, viktimat që nuk janë testuar apo ata që ndërrojnë jetë në shtëpi. Kjo lë të kuptohet se shifrat janë akoma më tragjike, të paktën në Europë.
Shteti që pasqyron të dhënat më reale dhe për pasoja raporton numrin më të lartë të viktimave në të gjithë botën nga Covid-19 është Italia, ku Shqipëria ka dërguar 30 mjekë për ti ardhur në ndihmë popullatës atje. Autoritetet përfshijnë në bilancin zyrtarë të gjithë personat e konfirmuar me koronavirus, pavarësisht se nëse pacientët kanë pasur dhe sëmundje të tjera.