Tragjedia në Bulqizë/ Del nga rreziku 16-vjeçarja, do t’i kryhet kontrollit psikologjik

16-vjeçarja Merita Tola, e cila ishte e vetmja e mbijetuar e tragjedisë së Bulqisës ditën e premte, ka dalë nga rreziku për jetën e ndërsa mësohet se ajo është trajtuar në spital për toksikim nga monoksidi i karbonit. 14 shkurti shënoi një ngjarje tragjike në Ostren të Madh në Bulqizë, ku nëna së bashku me dy fëmijët e saj u gjetën të vdekur.

Në banesën e viktimave është gjetur edhe një shishe rreth 50 gram me një pesticid që përdorej për patatet. Kjo shishe me helm ka qenë në një dhomë tjetër nga ku janë gjetur të vdekur Rajmonda Tola, 45 vjeç, bashku me djalin, Fatjonin 14 vjeç dhe vajzën, Rudinën 22 vjeç.

Trupa hetuese nuk përjashton edhe mundësinë se gruaja dhe dy fëmijët e saj të kenë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi i përhapur nga soba me dru. Nga kjo ngjarje tragjike arriti të shpëtonte vetëm vajza tjetër e shtëpisë, 16-vjeçarja Merita Tola, e cila u gjet me shenja jete dhe menjëherë u transportua drejt spitalit të Bulqizës. Pas marrjes së ndihmës së parë ajo u transportua në spitalin e Traumës në Tiranë, ku gjendja e saj shëndetësore paraqitet e stabilizuar.

Kujtojmë se policia paraprakisht se familjarët mund të jenë asfiksuar nga rrjedhja e gazit nga bombola, por burime nga Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), pas verifikimeve me një grup ekspertësh dolën në përfundimin se nuk ka dyshime se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi.

Çfarë është mangalli?

Mangalli është një enë prej metali, si legen me këmbëza ku ndizet qymyr druri ose mbahet prush për t’u ngrohur.

A mund të helmohesh nga mangalli?

Po, nëse ka pasur prush, i cili lëshon monoksid karboni?

Çfarë është monoksidi i karbonit?

Monoksidi i karbonit (CO) është një gaz i cili gjendet te karburantet e makinave e kamionëve, motorët e vegjël, sobat, gazi, qymyri i durit etj. Ai prodhohet gjithnjë kur digjet një lëndë djegëse.

Çfarë ndodh në organizëm?

Kur thithet në sasi të mëdha, monoksidi i karbonit zë vendin e oksigjenit në gjak. Kur zemra pompon gjak, truri dhe organe të tjera jetësore privohen nga oksigjeni. Një gjë e tillë shkakton probleme shëndetësore dhe vdekje.

Cilat janë simptomat e helmimit nga monoksidi i karbonit?

Simptomat më të zakonshme nga dhimbje koke, marramendje, të përziera, të vjella, dhimbje në gjoks, konfuzion dhe mungesë fuqie. Shpeshherë, simptomat e helmimit nga CO përshkruhen si të ngjashme me gripin. Sa më shumë të merrni frymë, aq më shumë rritet rreziku për vdekje. Njerëzit të cilët janë duke fjetur mund të ndërrojnë jetë para se të shfaqen simptomat. Ata mund të ndërrojnë jetë në gjumë, pa u zgjuar kurrë.

Cilët janë më të rrezikur?

Të gjithë, pa përjashtim. Megjithatë theksojmë se foshnjat, të moshuarit, njerëzit me probleme kronike në zemër, personat që vuajnë nga anemia dhe problemet me frymëmarrjen kanë më shumë gjasa të rrezikohen. Në Shqipëri nuk ka ende një raport të saktë në lidhje me helmimet nga monoksidi i karbonit, por në Amerikë ndërrojnë jetë më shumë se 400 amerikanë çdo vit, ndërkohë që raportohet se mbi 20,000 kërkojnë ndihmë të specializuar mjekësore si pasojë e helmimit.

Si mund të shmangni rrezikun?

–Kontrolloni pajisjet e gatimit çdo vit.
–Mos përdorni mangall në hapësira të mbyllura.
–Shmangni përdorimin e lëndëve djegëse në vende të vogla.
–Ajrosni vazhdimisht shtëpinë dhe mjediset e tjera.
–Blini dedektor për monoksid karboni.

SHKARKO APP