Tragjedia në familjen Lala/ Një tjetër objekt i ngritur mbi falsifikime, ja çfarë ka zbuluar prokuroria
Një tjetër ndërtesë që solli një tragjedi në Durrës, ishte ajo e familjes Lala në zonën ish-Kënetës, në lagjen nr. 18/1, në rrugën “Mihal Rama” Durrës, e cila humbi 8 anëtarë nën rrënoja.
“BalkanWeb” ka siguruar dosjen e prokurorisë ku konstatohen disa paligjshmëri lidhur me ndërtimin që është bërë jo nga vetë familja në emër të gjyshes së shtëpisë Sahadete Lala.
Nga hetimet rezulton se vila 4 katëshe nuk është ndërtuar nga vetë familja por nga shtetasi Rasim Shehu i cili për të bërë legalizimin në emër të Sahadete Lalës ka përdorur një akt të falsifikuar.
Shehu e ka ndërtuar këtë objekt me porosi të familjes Lala, pa projekte të miratuara në lidhje me strukturën dhe qëndrueshmërinë e objektit.
Pas kryerjes se procedurës së legalizimit të objektit dhe nevojës për regjistrimin e tij, nga ana e shtetases Nevjana Isufi me profesion Arkitekte dhe aktualisht drejtuese ligjore e shoqërisë J&F Architectural Designer SHPK, është firmosur në emër të shtetasit Vasil Gjoni me detyrë Inxhinier lidhur me plan rilevimin e banesës dhe planvendosjes së saj. E pyetur lidhur me këtë fakt ajo ka deklaruar se ka firmosur në emër të studios.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e shtetases Nevjana Isufi, në cilësinë e hartuesit të ‘Planit te rilevimit’ datë 30.10.2015 për pasurinë në emër te shtetases Sahadete Lala shtetasja Nevjana Isufi ka nënshkruar në emër të Ing. Vasil Gjoni i cili nuk e ka përpiluar dhe nënshkruar këtë ‘Plan Rilevimi’, duke sjellë për pasojë regjistrimin e pasurisë me një plan rilevimi të falsifikuar dhe duke kryer në këto kushte veprën penale të ‘Falsifikimit të dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/3 të Kodit Penal”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Edhe për këtë rast, prokuroria ka administruar një sërë provash e dokumentacionesh nga Kadastra Durrës dhe formularët e pagesave. Ndërkohë që figuron në dokumentacione edhe emri i ish-kreut të ALUIZNI-t Flamur Gjuzi dhe Ing. Ilirjan Keçi ish-Përgjegjësi i Sektorit të Hartografisë dhe Përpunimit të Informacionit Gjeografik në ALUIZNI-n Durrës.
Si pasojë e shembjes së banesës nga lëkundjet e tërmetit humbën jetën nën rrënoja Amelia Lala, Emiljo Lala, Enisa Lala, Dionis Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala, Griselda Lala dhe Marjeta Lala. I vetmi i mbijetuar ishte 17-vjeçari Ramë Lala. Kjo familje ishte dhe më e goditura nga tragjedia e 26 nëntorit.