Tragjedia në Kakavijë! Cakaj, Majko dhe Lleshaj duhet të japin dorëheqjen

Nga: Aleksandër Biberaj

Ja shkaqet dhe arsyet pse ministrat Cakaj, Majko dhe Lleshaj duhet të japin dorëheqjen! Neglizhencë mos-informim publik mos-marrje masash parandaluese dhe keq-menaxhim i krizës në kufirin grek me pasoja humbje jete si dhe vuajtje, torturëë stres dhe cënim dinjiteti të mijëra qytetarëve shqiptare! Këto janë jo vetëm shkelje administrative por edhe kundravajtje penale!

Te dashur miq,

Lavdi Zotit më në fund kriza në kufirin grek u zgjidh dhe kushdo që kontribuoi në zgjidhjen e saj meriton falënderime respekt dhe mirënjohje. Por që të mos ndodhë si gjithmonë që kalojmë nga një krizë në një tjetër me kosto dhe humbje, kriza këto të shkaktuara nga papërgjegjshmëria, neglizhenca dhe keqqeverisja, do t’i propozoja shumë sinqerisht ministrave Cakaj, Majko dhe Lleshaj si kolegë, pa asnjë ngarkesë, konetacioni apo objektivi politik që të japin dorëheqjen, duke i’u kërkuar falje qytetarëve që vuajtën në kufirin grek por edhe një kombi të tërë që ndoqi për ditë të tëra me shumë shqetësim tragjedinë që po luhej në vitin 2020 në “portat greke”. Dhe do përpiqem që ta argumentojë shkurtimisht se pse ata duhet të japin dorëheqjen?

Ministria e Jashme është njoftuar që më datën 5 gusht për vendimin e qeverisë greke, ndërkohë që jo vetëm nuk ka njoftuar qytetarët shqiptarë të interesuar dhe as ministritë dhe dikasteret e tjera, por nuk ka marrë asnjë masë paraprake, gjë që çoi në krizën kufitare. Edhe kur ndodhi kriza nuk kemi njoftim zyrtar që Ministri i Jashtëm bëri ndonjë përpjekje me homologun grek për zgjidhjen e krizës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ministrin e Emigracionit që u bë i “gjalle” duke “falënderuar” ministrat Xhaçka dhe Lleshaj për arsye që i din vetëm i ” madhi” Majko, arsye që kanë të njëjtën llogjike siç duket si në rastin e prishjes së Teatrit Kombëtar, kohë kur Majko nuk foli se “e kishte gojën me probleme”!

Xhaçka mesa duket duhet “falënderuar” për rrugët vajtje-ardhje vakancë detare-Kakavijë! Po Lleshaj, apo për “punën e shkëlqyer të policisë rrugore dhe të rendit”, që “kurseu” jetën e Samuelit 10-vjeçar. Besoj se për arsyet e lart-përmenduara Ministri Cakaj dhe Majko duhet të japin dorëheqje të parevokueshme dhe t’iu kërkojnë falje qytetarëve dhe kombit për atë që ndodhi në Kakavijë dhe Kapshticë.

Ministri Lleshaj duhet të japë dorëheqje për keqmenaxhim të situatës nga Policia Rrugore dhe ajo e Rendit, me pasoja humbjen e jetës së 10-vjeçarit. Natyrisht që dorëheqja është një akt krejt personal, por do të gjykoja se dorëheqja do të tregonte edhe pendesë, edhe brerje/vrasje ndërgjegje, etikë, përgjegjshmëri por edhe dinjitet dhe personalitet. Unë kam qenë ndër ata politikanë që ndonëse jam dhe mbetem i djathtë në filozofinë, ideologjinë dhe aktivitetin tim politik 30-vjeçar dhe nuk kam bashkëpunuar kurrë në asnjë lloj forme me të majtën, kam pasur kurajon që t’i falënderoj kolegët e majtë pa asnjë lloj kompleksi apo paragjykimi, kur i kanë shërbyer interesit popullor dhe atij kombëetar. Edhe për këta kolegë jam shprehur pozitivisht kur e kam gjykuar të drejtë një gjë të tillë.

E fundit, nisur nga eksperiancat e mia në pozicionet ndërkombëtare si Zv. President i Asamblesë Parlamentare të KE-së, Zv. President i Grupit Parlamentar të PPE-së, Monitorues dhe Raporter i KE-së për vendet e Europës Jug-Lindore, përfshirë edhe monitorimin dhe menaxhimin e krizave ndërkombëtare dhe ndërkufitare si kjo e jona apo edhe më të rënda përfshirë edhe konfliktet e armatosura, do të gjykoja se në çdo vend të Europës po të ndodhte kjo që ndodhi, këta ministra do të jepnin dorëheqjen.

Gjithsesi për ta mbyllur, dorëheqja mbetet në ndërgjegjen e tyre civile, qytetare, intelektuale dhe politike, nëse janë sadopak “të lirë” edhe nga “lideri global”, i cili “po zgjidh” konfliktet globale, përfshirë edhe krizën politike të siamezit Llukashenko në Bjellorusi, dhe s’kishte kohë të merrej me krizën në kufirin grek:) Kolegë CAKAJ, MAJKO, LLESHAJ, populli thotë “më mirë luan një ditë sesa lepur gjithë jetën” dhe nuk i’u del keq po dëgjuat ndonjëherë edhe popullin!

SHKARKO APP