Tragjedia në Pogradec, banorët e zonës rrëfejnë si u mbytën nënë e bijë në gropën e thellë me ujë
Një ngjarje tragjike ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Alarup të Pogradecit, ku nënë e bijë u mbytën në një gropë të thellë me ujë.
Sipas informacioneve zyrtare të policisë, vajza 10-vjeçarja E.Mazelli ra aksidentalisht në gropë, ndërsa nëna e saj, 35-vjeçarja, Liri Mazelli, u fut në ujë për ta shpëtuar, por për fat të keq asnjëra prej tyre nuk doli më e gjallë.
35-vjeçarja la pas tre fëmijë të tjerë jetimë.
Të tronditur nga ngjarja e rëndën, banorët e zonës kanë treguar se i kanë hapur gropat e thella me fadroma, me qëllim vaditjen, pasi thuajse të gjithë merren me bujqësi e blegtori në këtë fshat, të cilat janë të vetmet mundësi që kanë për të punuar e mbijetuar.
Ata e pranojnë rrezikun e këtyre gropave, por sipas tyre janë detyruar t’i hapin për shkak të mungesës së një sistemi vaditës në fshat.
Mësohet se babai i vajzës ishte në emigrim, ndërsa dy vajzat e tjera të familjes, shkuan të shihnin se çfarë kishte ndodhur, por kur s’panë as të ëmën dhe as motrën, ata lajmëruan të afërmit.
Ka qenë gjyshi i vajzave ai që ka nxjerrë trupat e pajetë të nënës me të bijën, ndërsa më pas mbërriti policia dhe ambulanca në vendin e ngjarjes,
Kryeplaku i fshatit Alarup, Adriatik Hoxhallari, tregoi se si ndodhi tragjedia e djeshme në Pogradec.
Ndër të tjera, ai u shpreh se këto gropa vijojnë të mbeten një problem i madh, që mund të kenë pasoja të tjera.
Hoxhallari tha:
E ndjera është afruar tek ara, bashkë me fëmijën. Në një moment fëmija është shkëputur për të mbledhur arra, ose për të luajtur dhe ka rrëshqitur në brendësi të gropës. E ëma duke parë mungesën e fëmijës është afruar tek gropa, duke parë mungesën e fëmijës ka parë shapkat jashtë dhe është hedhur në gropë. Fatkeqësi e të dyjave. Personi i parë që është afruar ka qenë vajza e madhe e viktimës së bashku me vajzën e saj të vogël që e kishte në krahë. Duke vërejtur mungesën e nënës dhe të motrës, ajo ka lajmëruar gjyshin. Pas kërkimit me mjete rrethanore ata kanë nxjerrë dy trupat jashtë. Gropa të tilla janë krijuar për shkak të mungesës të sistemit vaditës dhe mungesës së ujit të pijshëm . Problemi është i madh mund të humbasin jetën shumë fëmijë.”
Një tjetër problem me të cilin përballen banorët e zonës është se ekspertiza ka nxjerrë të papërdorshme një çezëm, të cilin fshati e përdor për ujë të pijshëm.
Ata apelojnë ndaj shtetit që të ndërhyjë dhe të normalizojë situatën me ujin, pasi tragjedi të tjera tronditëse mund të ndodhin sërish në të ardhmen.
Një nga banorët u shpreh:
Keto gropa hapen me fadroma dhe ngelin te hapura me ujë. rrethime nuk ka. Uji vjen gjatë dimrit dhe bëjnë përpjekje njerëzit hapin gropa për mbijetesë por nuk janë të sigurta. I hapim për vaditje. Ne po e vuajmë edhe për ujin e pijshëm Ujë nuk kemi. Nga shëndetësia kanë ardhur dhe kemi një cezme të fshatit dhe na e kanë nxjerrë të pa pijshëm. Thonë që është i papijshëm por çfarë masash mori shëndetësia… Ska sistem vaditje kto janë të bërë vetë që mundohemi për vaditje, janë shumë të rrezikshme. Vijnë fëmijët, ne na ,mbeti goja mos këtu mos atje. Do kemi edhe pasoja të tjera.
Ndërsa një tjetër shtoi:
Të gjitha janë të rrezikshme. Ne kërkojmë që të mbulohen lopët, të bëhet kanali për të vaditje. Po ne skemi as ujë të pijmë. I hapim me fadroma, uji na vjen nga perendia, Ndihemi shumë të rrezikuar. Para nja dy javëve mu fut djali desh u mbyt. Shumica e familjeve i kanë këto gropa.
KOHA JONË SONDAZH

