Transformimi i rrugës Shirokë–Zogaj, ja kur pritet të përfundojnë punimet
Rruga panoramike Shirokë–Zogaj po i nënshtrohet një transformimi të thellë, duke kaluar nga një aks i amortizuar në një rrugë moderne dhe të sigurt për qarkullim. Investimi prej 4.7 milionë euro nga buxheti i shtetit parashikohet të përfundojë më 2 tetor 2025 dhe synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turizmin në zonën përreth liqenit të Shkodrës.
Sipas autoriteteve, punimet janë tashmë në një fazë të avancuar. Janë realizuar thuajse të gjitha gërmimet dhe mbushjet përgjatë gjatësisë së rrugës, ndërsa mbi 80% e strukturave mbajtëse janë drejt përfundimit. Aktualisht, traseja është e hapur në rreth 90% të gjatësisë, duke lehtësuar qarkullimin edhe gjatë fazës së ndërtimit.
Banorët e zonës kanë mirëpritur ndërhyrjen, duke e vlerësuar si një projekt të shumëpritur që ka nisur të japë rezultatet e para. “Tani ka vënë dorë shteti dhe shohim që janë duke punuar shumë mirë. Pjerrësitë po eliminohen dhe ne jemi shumë të kënaqur,” shprehen ata.
Ndërkohë, ka nisur edhe vendosja e shtresave rrugore, ndërsa po vijon puna për sistemimin e ujërave të bardha, masë e rëndësishme për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet gjatë stinës së reshjeve. Përveç kësaj, po kryhet edhe zhvendosja e linjave të tensionit dhe rrjetit të ujësjellësit.
Një komponent kyç i projektit është ndërtimi i sistemit të KUZ (Kanalizimi dhe Ujërat e Zeza), ku deri më tani është realizuar mbi 35% e linjës. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, e konsideron këtë si një investim strategjik që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët dhe në rritjen e potencialit turistik të zonës.
KOHA JONË SONDAZH

