Transporti i mallrave ushatarakë e mallrave me përdorim të dyfishtë me ekskortë të armatosur

Projektligji – Qeveria heq dhënien e autorizimeve për import-ekportin e mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive

Nga Herion Mesi

Ndryshon ligji për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë. Drafti që është depozituar në Kuvend parashikon një sërë ndryshimesh thelbësore nisur nga problematikat e vërejtura në zbatimin e ligjit aktual. Ky projektligj do të bëjë të mundur përshtatjen e dispozitave themelore të kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare, në përputhje me rregulloret e BE-së, si dhe me marrëveshjet ndërkombëtare dhe traktatet ku Shqipëria është palë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Projektligji

Swiss Digital Mobile Reklama

Drafti “Për kontrollin shtetëror të importit, eksportit të mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, ka si qëllim krijimin e një sistemi efikas të kontrollit shtetëror (të importit, eksportit, transitit, transshipit, brokering,) në transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake, mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, kontroll i cili ushtrohet para, gjatë dhe në zbatim të detyrimeve, të cilat rrjedhin nga veprimtaria e subjekteve të licencuara në këtë fushë. Për të forcuar masat e sigurisë gjatë transportit të këtyre mallrave është parashikuar në nenin 19 që transporti i mallrave në rrugë tokësore dhe transporti e transiti i tyre në rrugë tokësore e detare të bëhen me eskortë të armatosur, sipas dispozitave të ligjeve në fuqi.

Relacioni – Tranportet

Në nenin 1, të këtij projektligji, janë përcaktuar përkufizimet e koncepteve bazë të ligjit, duke vendosur terma të cilat nuk ishin në ligjin e vjetër dhe që janë në përputhje me terminologjinë e Bashkimit Evropian. Në veprimtaritë e kontrolluara është përfshirë edhe transshipi dhe ndërmjetësimi i transferimeve ndërkombëtare. Përkufizimi i eksportit, eksportuesit, deklaratës së eksportit, transitit, ndërmjetësimit, mallrave të kontrolluara (me përdorim të dyfishtë), asistencës teknike, kategorive të licencave, janë bërë në përputhje të plotë me rregulloren nr.428/2008 të Bashkimit Evropian. “Eksport” është: një procedurë eksporti, në kuptim të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë; rieksporti, në kuptim të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë, pa përfshirë mallrat në transit; ose transmetimi i programeve software apo i teknologjisë përmes medias elektronike, përfshirë nëpërmjet faksit, telefonit, postës elektronike ose çdo mjet tjetër elektronik, përfshirë bërjen të disponueshme të këtyre softeve dhe kësaj teknologjie, në formë elektronike, për personat juridikë dhe fizikë jashtë territorit shqiptar ose për një person të huaj brenda territorit shqiptar. Eksport do të quhet edhe transmetimi verbal i teknologjisë, kur teknologjia përshkruhet përmes telefonit, duke lexuar në mënyrë të plotë ose të pjesshme një dokument i cili përmban teknologji të kontrolluara ose duke e përshkruar në atë mënyrë që të arrihet i njëjti rezultat”- thuhet në pikën 2 të nenit 2 të draftit.

Në nenin 9, të këtij projektligji, është sanksionuar procesi i shkëmbimit të të dhënave në procesin e kontrollit shtetëror të eksporteve, si proces me rëndësi të veçantë në vendimmarrjen e transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake, artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë.

Në nenin 10, të këtij projektligji, referuar listës së mallrave, objekt i kontrollit shtetëror të eksporteve, janë përfshirë në objektin e kontrollit dhe të licencimit mallrat e përfshira në listë, mallrat të cilat nuk janë të përfshira në listë, por destinacioni i tyre përfundimtar është përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, vendi i destinacionit përfundimtar është një vend nën embargo ose mund të përdoren për vepra terroriste. Gjithashtu, është përfshirë mundësia e miratimit me vendim të Këshillit të Ministrave për një periudhë kohore të përcaktuar dhe një listë të caktuar mallrash, të cilat mund të jenë objekt kontrolli dhe licencimi nga AKSHE-ja.

Në nenin 11, të projektligjit, janë parashikuar rastet e kontrollit shtetëror në transferimet ndërkombëtare edhe për mallrat dhe artikujt të cilët nuk janë të listuar në listën e kontrollit, por nëse ekziston informacioni se këto mallra do të përdoren për qëllimet e përcaktuara në këtë nen, këto mallra do t’i nënshtrohen procedurës së kontrollit dhe të licencimit. “Çdo institucion shtetëror që ka informacion për qëllimin apo mundësinë e përdorimit të disa mallrave, të cilat nuk janë të përfshira në listat e kontrolluara, për prodhimin, montimin, testimin, riparimin, trajtimin, shërbimin teknik, modifikimin, përmirësimin, funksionimin, drejtimin, menaxhimin, magazinimin, ekspozimin, identifikimin apo përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe mjetet e përhapjes së tyre, ai është i detyruar të informojë AKSHE-në, i cili ka të drejtë të zbatojë procedurat e kontrollit shtetëror për këta artikuj edhe pse ato nuk ndodhen në listë”- thuhet në draft.

Ky quhet kontroll gjithëpërfshirës dhe është në përputhje me rregulloren nr.428/2009 të BE-së dhe ka si qëllim kontrollin e mallrave për rastet e sipërcituara.

Në nenin 12, të këtij projektligji, janë përcaktuar kriteret, në bazë të analizës të të cilave bëhet vlerësimi i riskut në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara. Në këto kritere janë listuar kriteret e parashikuara në qëndrimin e përbashkët të Këshillit të Bashkimit Evropian 2008/944/CFSP, të datës 8 dhjetor 2008, i cili përcakton rregullat e përbashkëta për administrimin e kontrollit të eksporteve të teknologjisë dhe pajisjeve ushtarake, ndërsa në nenin 13 janë listuar disa kritere të tjera mbi pastërtinë e figurës së subjektit të përfshirë në këto transferime.

Në ndryshim nga ligji i mëparshëm, i cili parashikonte dispozita të njëjta për mallrat ushtarake dhe ato me përdorim të dyfishtë, ky projektligj ka dy kapituj të veçantë ku parashikon regjimin e kontrollit për mallrat ushtarake dhe regjimin e kontrollit për artikujt dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë. Për mallrat ushtarake është parashikuar detyrimi për regjistrim i tyre dhe pajisja me certifikatë regjistrimi, afati i certifikatës së regjistrimit 3 vjet, si dhe rastet e refuzimit, e të çregjistrimit të subjekteve të riregjistruara. Në rastet e mallrave ushtarake lëshohen vetëm licenca me një përdorim për import, eksport, shërbime ndërmjetësimi apo asistencë teknike.

Edhe në rastet e transitit, licenca lëshohet me një përdorim, ku është bërë një ndarje midis transitit detar, tokësor dhe transitit ajror. Në rastet e transitit ajror leja jepet nga Aviacioni Civil, por me miratimin e AKSHE-së, në respektim të kritereve të nenit 11, të ligjit.

Për të forcuar masat e sigurisë gjatë transportit të këtyre mallrave është parashikuar në nenin 19 që transporti i mallrave në rrugë tokësore dhe transporti e transiti i tyre në rrugë tokësore e detare të bëhen me eskortë të armatosur, sipas dispozitave të ligjeve në fuqi.

Licencat

Në kuptim të këtij ligji janë vendosur vetëm licencat dhe është hequr koncepti i autorizimeve. Është parashikuar vetëm një tip autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, lëshimi i të cilit nuk kushtëzon pajisjen e subjekteve me licencë. Përkufizimi i termave të tjerë është bërë sipas referencave të ligjit nr. 102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, si dhe sipas praktikave më të mira që kemi hasur gjatë eksperiencës në këtë fushë. Në kapitullin IV, “Artikujt dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë”, kategoritë e licencave të cilat lëshohen janë: Licencat me një përdorim, licencat globale, si dhe licencat e përgjithshme. Licenca globale lëshohet vetëm në rastet e eksportit të mallrave me përdorim të dyfishtë, kurse licenca e përgjithshme lëshohet për një kategori të listuar mallrash drejt një liste të përcaktuar vendesh. Për këto dy kategori licencash është parashikuar dhe detyrimi për organizimin e programit të përputhshmërisë së brendshme të kompanisë, program ky i cili hartohet dhe miratohet në bazë të kërkesave të përcaktuara në këtë ligj. Transitimi, ndërmjetësimi, ofrimi i asistencës teknike i artikujve me përdorim të dyfishtë nuk është objekt licencimi dhe kontrolli i AKSHE-së, vetëm në rastet kur transitimi, ofrimi i shërbimeve të ndërmjetësimit dhe asistencës teknike për këto artikuj dhe teknologji bien në kundërshtim me qëllimet e përcaktuara në nenin 11, të këtij projektligji. Neni 25 përcakton mënyrën e organizimit dhe të mbajtjes nga subjektet e programit të përputhshmërisë, për të përfituar licencat globale dhe ato të përgjithshme. Ky program kontrollohet dhe certifikohet nga AKSHE-ja, në bazë të kritereve të këtij neni. Në kreun V të projektligjit përcaktohen procedurat e licencimit, bazuar në dokumentacionin e paraqitur dhe pas analizave të kritereve të vlerësimit të riskut, si dhe afatet e shqyrtimit të aplikimeve. Për çdo procedurë transferimi është parashikuar afati ligjor i shqyrtimit të dokumentacionit, afati i marrjes së mendimeve nga institucionet e tjera shtetërore. Nëse informacioni shtesë që i kërkohet subjektit, nuk paraqitet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e kërkesës drejtuar subjekteve, aplikimi konsiderohet i refuzuar. Ligji parashikon dhe ekspertizën e AKSHE-së para fillimit të procesit të licencimit dhe gjatë tij, në bashkëpunim me institucione të tjera. Në këtë ligj është parashikuar dhe thirrja e ekspertëve të jashtëm për çështje të ndryshme të cilat nuk mund të mbulohen nga institucionet shtetërore.

Refuzimi i licensave

Në nenet 29, 30, 31, të këtij ligji, janë parashikuar rastet e refuzimit, pezullimit shfuqizimit dhe anulimit të licencave dhe certifikatave. Në të gjitha këto nene është vendosur dhe një dispozitë ku parashikohet përjashtimi i shtetit shqiptar nga përgjegjësitë ligjore dhe dëmet e mundshme të shkaktuara si rezultat i veprimeve juridike të mësipërme. Në kreun VI është parashikuar një risi në këtë ligj, i cili është neni 36 “Kontrolli doganor”, ku përcaktohet mënyra e bashkëpunimit të AKSHE-së me autoritetin doganor mbi informimin për licencat e lëshuara dhe vendimet e marra, si dhe kompetencën e autoritetit doganor për të pezulluar procesin e transferimit dhe bllokuar mallrat, parashikim ky i cili i mungonte legjislacionit të mëparshëm, duke u gjendur përpara vështirësive në situata të tilla, ku asnjë organ nuk kishte të parashikuar kompetencën për të marrë këtë vendim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?