Tre burgime përjetë për autorët e vrasjes në Fier

Tre personat që ekzekutuan me armë zjarri pronarin e një pike “Exhange”, Gëzim Hoxha si dhe më pas vranë Agur Vrenozin, më 2 mars 2018 në Fier, u dënuan me burgim të përjetshëm. Vendimi për dënimin kapital të Lulëzim Demiraj, Zini Fyraj dhe Dashamir Gergali u dha nga gjykata e Fierit.

Ky dënim bazohet në kërkesën e përfaqësuesit të prokurorisë së Fierit, Andi Pogaçe, i cili gjatë konkluzoneve përfundimtare kërkoi para gjykatës dënimin e tre të pandehurve me burgim të përjetshëm. Kjo masë dënimi kapitale është kërkuar për 3 personat e mësipërm, pasi gjatë procesit të gjykimit është provuar se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë grabitur një pikë valutore në Fier. Në grabitje e sipër tre të pandehurit qëlluan për vdekje dhe Agur Vrenozin, personin që i erdhi në ndihmë Gëzim Hoxhës, duke arritur të përleshet me njërin nga autorët e këtij krimi të rëndë.

Për shkak të cilësive qytetare që Vrenozi tregoi duke u përballur dhe përleshur me atentatorët, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, më 2018 i akordoi medaljen “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Pritet që në ditët në vijim në gjykatën e Fierit të zhvillohet seanca e radhës, ku do jepen pretendimet e mbrojtjes dhe më pas vendimi i gjykatës.

SHKARKO APP