Tre familjarë nga Kosova humbën jetën. Ish-ministri tregon si mund t’i dallojmë kërpudhat helmuese “Kësula e Vdekjes”
Nisur nga ngjarja e rëndë ku tre familjarë kosovarë humbën jetën nga helmimi si pasojë e kërpudhave që kishin mbledhur në pyllin e Gjirit të Lalëzit, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka treguar si të dallojmë kërpudhat helmuese nga ato johelmuese.
Në një postim në facebook, Panariti thotë se në Shqipëri, në zona pyjore rritet kërpudha helmuese “Kësula e Vdekjes” që përmban lëndën toksike amatoksinë, e cila i reziston dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zierja, pjekja, skuqja.
Postimi i Panaritit
Trishtim për humbjen e jetës nga helmimi i dyshuar nga konsumi i kërpudhave i familjes Kosovare, nga Gjilani. Toksikologjia analitike ligjore duhet të thotë fjalën e fundit. Megjithatë, është thuajse e pamundur të dallosh me sy të lirë llojet normale nga ato helmuese të kërpudhave. Dy këpurdhat e para në foto janë shumë helmuese ndërsa e treta aspak. Por dallimi me sy të lirë është shumë i vështirë.
Kur them shumë helmuese, do të thotë se mjafton gjysëm këpurdhe për të shkaktuar vdekjen pas ngrënies. Te ne, kudo në pyje dhe terrene me hije dhe me lagështi, rritet këpurdha helmuese “Kësula e Vdekjes”.. Kjo këpurdhë përmban lëndën toksike amatoksinë e cila i reziston dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zjerja, pjekja, skuqja.
Prandaj pas konsumit helmimi me të është i sigurtë. E vetmja mënyrë për të zbuluar lëndën helmuese në kërpudha, eshtë me anë të provës Wieland, pra pikimi i një sasie acidi klorhidrik të përqëndruar në tulin e këpurdhës, e cila nëse përmban helm merr ngjyrë blu në të gjelbër. Për fat të keq, nuk njihet ndonjë antihelm (antidot) specifik ndaj këtij helmi.
Por mënyra më e mirë e trajtimit pas helmimit është ajo me karbon aktiv nga goja, provokimi i të vjellave dhe pastrim sa më i shpejtë i zorrëve me klizëm, në mënyrë që të reduktohet sa më parë dhe sa më shumë sasia e helmit. Edhe trajtimi me atropine ndihmon.