Tre kontrollorët e Rinasit, dërgohen në gjykatë
Tre kontrollorët e trafikut ajror në Rinas, që u arrestuan pas grevës të zhvilluar disa muaj më parë, do të përgjigjen para gjykatës për akuzën “pengimit të qarkullimit te mjeteve ajrore”. Prokuroria nuk ka provuar akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tyre për të cilën tre organizatorët u arrestuan.
Armando Fezga, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini, do të gjykohen për akuzën e “pengimit të qarkullimit të mjeteve ajrore” për të cilën rrezikojnë deri në tre vite burg. Çështja u hetua nga prokurorja Marjeta Zaimi, e cila ka dërguar dosjen në gjykatë për seancë paraprake.
Tre kontrollorët në muajin prill mbajtën një grevë disa ditore me pretendimin se nuk ishin të aftë në punë për shkak të stresit. Ata u arrestuan fillimisht për akuzën e shpërdorimit të detyrës akuzë, e cila nuk u vërtetua nga prokuroria.
Provë janë konsideruar biseda me njëri-tjetrin në ”WhatsApp”, ku flitet për organizim të grevës dhe për braktisjen e vendit të punës, që çoi në mbylljen e aeroportit.