Tregtia/ Asnjë problem me furnizimin – “Importi nga Italia dhe prodhimi ushqimor në vend vazhdon normalisht”!
Konfirmimi i rasteve të para në vendin tonë me Coronavirus, ka shkaktuar panik tek qytetarët të cilët kanë rendur nëpër supermarket për të bërë furnizime ushqimore në masë, me frikën se do të mbarojnë.
Po ashtu, edhe rritja e numrit të të prekurve ka dhënë të njëjtin efekt. Por pavarësisht masave drastike të marra në ndërprerjen e mësimit për dy javë, të aktiviteteve publike në vend, apo të fluturimeve dhe transportit detar me disa qytete të Italisë, qeveria shqiptare garanton qytetarët se Coronavirus nuk prek importin nga ky vend, furnizimin me ushqime në markete dhe se shitjet do të vijojnë normalisht.
Italia është partneri kryesor tregtar i vendit tonë dhe importet e mallrave nga ky shtet gjatë 2019-ës, u regjistruan në vlerën e 164 miliardë lekëve.
Ndërkohë që edhe bizneset prodhuese shqiptare, shprehen se po vijon puna normalisht për furnizimin e supermarketeve dhe dyqaneve të vogla të pakicës.