Tregtonin kanabis afër shkollave, arrestohen dy të rinj në Tiranë

Policia e Tiranës, si rezultat i kontrolleve me agjentë civilë dhe shërbime të hapura pranë shkollave të kryeqytetit, ka arrestuar në flagrancë dy të rinj, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 12:25 kanë ushtruar kontroll në ambientet përreth një shkolle në Tiranë, thuhet në njoftimin e policisë.

Si rezultat i kontrollit nga policia, janë kapur në flagrancë shtetasit D. A. dhe M. K., të cilët në bashkëpunim me njëri – tjetrin kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike (Cannabis Sativa).

Gjatë kontrollit, dy të arrestuarve u është gjetur një sasi dozash me lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, me peshë 23.6 gr, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Dy të rinjtë e arrestuar do të akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.

SHKARKO APP