Tritan Shehu: Asnjë shtrim në spitale pa bërë më parë testin për koronavirusin
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, deklaron se nuk duhet të shtrohet asnjë person në spital pa ju nënshtruar më parë testit për koronavirusin.
Në një lidhje me skype për Ora News, Shehu thotë se kontaminimi i spitaleve nga këta pacientë do të sillte pasoja të rënda.
Shehu: Shtrohen të sëmurë në spitalet tona, gra për të lindur, të sëmurë urgjent për tu operuar, të sëmurë me procese malinje ku marrin kimioterapi dhe forca imune është shumë e ulët. Këta të sëmurë para se të shtrohen duhet tu bëhet tamponi detyrimisht që nëse dalin pozitivë të mbahen në kushte të veçanta, të mos futen në reparte të tjera se do të na futet ky kontaminim në spitale. Duhen marrë masa urgjente për të bërë një triazhim jashtë repartit.
Shehu insiston në shtimin e numrit të testeve për virusin, ndërsa thotë se strukturat shtetërore duhet të përgatiten për skenarin më të keq.
Shehu: Ky është një rrezik real. Duhet të përgatitemi për variantin më të keq, shpresojmë mos të ndodhë sigurisht. Nuk është marrë me atë seriozitet që në janar, por duhet marrë dhe tani, më mirë vonë se kurrë. Të dalim nga mbyllja dhe të hapim rrethin e bashkëpunimit.Mbrojtja e punonjësve të shëndetësisë është shumë e rëndësishme.