Tritan Shehu: Një këshillë Qeverisë, pasi muajt që vijnë mund të jenë tragjikë
Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu duke marrë shkas nga shqetësimi i Presidentit Ilir Meta për shërbimin e Reanimacionit në këtë kohë të vështirë pandemie, i jep një këshillë Qeverisë, që siç thotë ai, uron të mos bjerë përsëri në “vesh të shurdhër”!
“Mbasi lexova prononcimin e Presidentit Meta për shërbimin e Reanimacionit, një këshillë Qeverisë, që uroj të mos bjerë përsëri në “vesh të shurdhër”!
Së pari, dua të mbështes Presidentin për evidentimin që i bëri Reanimacionit, domosdoshmërisë së forcimit, modernizimit e zgjerimit të tij në struktura, poste, teknologji, materiale, forca njerëzore, etj., edhe në përballjen Covid.
Ndërkaq, dëshiroj të kujtoj se me gjithë këmbënguljen tonë prej muajit shkurt, në këtë drejtim jemi pothuaj në vend, larg standardeve europiane.
Është e vërtetë që shërbimet e Reanimacioneve kushtojnë, kërkojnë kapacitete të kualifikuara, mbështetje të gjere kolaterale, por mos të harrojmë se janë kufiri i fundit, që ndan Jetën me Vdekjen.
Të aktivizosh, ndërtosh a përmirësosh strukturalisht një shërbim reanimacioni kërkon profesionalizëm të lartë, parametra komplekse nga hapësirat, lëvizjet, qarkullimi e cilësia e ajrit, instalimet e sofistikuara, teknologjia e lartë, etj, aq më shumë kjo kur kemi të bëjmë me patologji të tilla infektive.
Fatkeqësisht edhe sot mbas disa muajsh epidemi ne duhet akoma të përmirësojmë ato pak poste reanimacioni që kemi në Tiranë e rrethet kryesore, të aktivizojmë minimalisht 150 të rinj të tillë nën parametra europiane.
Kjo nuk bëhet me improvizime siç mund të ndodhte në shkurt, pra duke zgjatur disa tuba gazesh në ambiente të degraduara a me parametra të papërshtatshme, duke sjellë një aparaturë aty e një tjetër atje, sepse këtu kemi të bëjmë me një shkencë të vërtetë, që kërkon inxhinierët e saj plot eksperiencë tashmë.
Prandaj, kontraktoni me grupet e specializuara nga vendet rreth nesh, ata dinë të ndërtojnë të tilla struktura, siç bënë me mijëra në pak javë në vendet e tyre… dhe të jeni të bindur se kostot do të jenë krejt të përballueshme.
Ndërkaq, mendoni për personelin përkatës, për trajnimin, shpërblimin e një numri shumë të madh infermierësh e operatorësh, për të plotësuar ato shërbime, së bashku me mjekët përkatës!
Ndryshe, jo vetëm e sotmja, por veçanërisht muajt që vijnë mund të jenë tragjikë”, shprehet ish-ministri Tritan Shehu.