Tritan Shehu: Rama duhet të kuptojë se testimet masive janë urgjencë kombëtare
Nga Tritan Shehu
Rama duhet te kuptojë se testimet masive janë urgjencë kombëtare për të evituar kolapsin e mirëpërdorur burimet financiare!
Shikoni vendet e tjera, kudo i stimulojnë e i ftojnë qytetarët të bëjnë testimet PCR dhe imunologjikët gratis, kudo po i bën këto vetë mjeku i familjes e pediatri, kudo kanë ngritur pika ambulante për këtë qëllim, me përgjigje në pak orë.
Askush mos të mendojë se ne jemi më të mençur apo atyre nuk u dhimbsen paratë, përkundrazi, por kjo bëhet se është domosdoshmëri qoftë në mbrojtje të jetës e shendetit, qoftë në uljen finale të kostove.
Pra detyra prioritare e shtetit sot është te shumëfishoje testimet gratis ose me çmime të subvencionuara, veçanërisht kjo në kushtet tona kur infeksionet janë të përhapura gjerësisht në një situatë jashtë kontrollit, me një gjendje të vajtueshme të sistemit tonë spitalor e veçanërisht të terapive intensive, me një kujdes parësor të handikapuar e me mbulesa financiare për mjekim të pamjaftueshme.
Veçanërisht kjo merr rëndësi në këtë periudhë virozash të ndryshme sezonale, që të ngatërrojnë e kërkojnë diferencim diagnoze nga COVID, thelbësor kjo për një mjekim efikas e në kohë si dhe me kosto sa më të ulët, diferencim që mund të realizohet vetëm me test, për të mos përmendur këtu ekzaminimet Scan me çmime shumë herë më të larta.
Pra në kushtet e mësipërme edhe pa testime do të kemi komplikacione të shumta, rritje të shtrimeve e në gjendje të rëndë, vdekshmëri të lartë, invalidizim të popullsisë nga dëmtimet e avancuara në organe prej Covid, si dhe mjekime eksesive për viroza të zakonshme, të gjitha këto në fund të fundit japin edhe rritjen e kostos.
Vetem një Qeveri në ikje, e paafte, e papergjegjeshme mund të veprojë kështu si po veprohet te ne!