Tritan Shehu: Terapitë intensive në kolaps, 23 pacientë me 7 të intubuar!

Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu ka vijuar edhe këtë martë denoncimet e tij për keqmenaxhimin nga ana e qeverisë “Rama” të situatës së përkeqësuar të pandemisë së koronavirusit në vendin tonë.

Përmes rrjeteve sociale, Shehu thekson se terapitë intensive janë futur tashmë në kolaps, ku aktualisht ndodhe 23 pacientë dhe 7 të intubuar, krahas numrit të lartë të të infektuarve.

“Krahas numrit të lartë të të infektuarve, 130 me numrin shumë të vogël të testimeve, 546, pra me një pozitivitet të frikshëm të tyre prej 24%, kemi dhe numrin shumë të lartë të pacientëve në terapitë intensive të të dy spitaleve 23 me 7 të intubuar. Shifra këto tejet të rrezikshme, veçanërisht për gjendjen strukturale larg standardeve europiane të tyre, e numrin e pa mjaftueshëm të personelit atje ku është shpresa e fundit e “Jetës”. Së pari, dëshiroj të bëj një homazh të thellë për ata mjekë reanimatorë, specializantë, infermierë, sanitare, të sektorëve mbështetës, për sakrificat që po kryejnë, devocionin e tyre që po tregojnë, por që, fatkeqësisht, është diametralisht i kundërt me impenjimin e Qeverisë. Kane kaluar 6 muaj nga fillimi i epidemisë dhe nuk ka asnjë përmirësim substancial, apo shtim të ndjeshëm sasior a cilësor në strukturë, pajisje e personel të ambienteve të reanimacionit, shkak ky i humbjeve të mëdha që kemi pasur midis atyre të sëmurëve rëndë, veçanërisht të të intubuarve, gjë që imponon: Urgjentisht duhen vënë në dispozicion të këtyre pacientëve tepër të rëndë, ambientet kryesore të terapive intensive dhe më të kompletuarat që kemi, duke filluar nga QSUT e në disa rrethe; Duhen mobilizuar grupet më të mira të reanimatorëve aktivë në këtë përballje; Duhet mobilizuar e shtuar ndjeshëm numri i personelit infermier në reanimacion, për të arritur në 1,5 infermierë për turn për pacientë, nga 0,5 që është aktualisht; Duhen pajisur reanimacionet me respiratorë nga më modernet, ECMO, monitorim hemodinamik, qendror, teknologji mbështetëse, etj., në një kohë që dhe Scaner-at ekzistues qëndrojnë jashtë shërbimit; Duhen porositur sa më shpejt struktura të gatshme, komplete e të montueshme reanimacioni, tashmë me një kapacitet minimal 150 poste. Etj, etj. Të gjitha këto, që janë krejtësisht të realizueshme në një kohë rekord (në 3-4 javë Italia aktivizoi 4000 poste të tilla, ndërsa Gjermania mbi 8000), janë kërkuar prej disa muajsh, por heshtja e Qeverisë tashmë ka kaluar çdo kufi, veçanërisht në këtë situatë tejet të rëndë, që po përkeqësohet çdo ditë. Quo vadis, kështu, në qoftë se kjo e keqe nuk ndalohet?!”, u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu.

SHKARKO APP