Tritoli makinës së prokurorit në Vlorë, kreu i Gjykatës: Ka lidhje me detyrën, ata që kanë grabitur pronat, nuk do t’i gëzojnë
Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci ka reaguar menjëherë pas tritolit mëngjesin e sotëm në makinën e prokurorit Albert Kuliçi.
Ai e ka cilësuar këtë si një akt burracakësh për shkak të profesionit si prokuror të Kuliçit ndërkohë vetë ai deklaron se nuk ndihet i kërcënuar. Haluci bën me dije se e ka ngritur si çështje emergjente sigurinë e prokurorëve për shkak të rreziqeve që i kanosen Gjyqësorit. Po ashtu ai bën një apel të fortë për ata që i kanë grabitur pronat duke i paralajmëruar se ‘nuk do i gëzojnë’.
“Në vazhdimësi e kam ngritur problemin e marrjes së masave emergjente për sigurinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe pjestarët që ushtrojnë aktivitetin në këto institucione. Sot jam në mbështetje të tij dhe familjes së tij dhe për ta mbështetur. Ka lidhje vetëm me ushtrimin e profesionit dhe kjo është një vepër e shëmtuar burracakësh dhe frikacakësh. Por gjyqtarët dhe prokurorët do të përgjgijen në seanca vetëm me vendime publike. Unë vetë nuk ndihem asnjëherë i kërcënuar dhe e bëj detyrën për t’i shërbyer qytetarëve. I bëj thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës që të ushtrojë detyrën vetëm për të zbatuar ligjin. Ka disa raste kur po goditet Gjyqësori, jo vetëm me tritol por edhe me baltë. Kuliçi është një ndër prokurorët më të mirë të Republikës së Shqipërisë, profesionalisht dhe të gjitha pikëpamjet. Janë mbi 4 milion euro të sekuestruara nga 6 dhjetori në masat provizore dhe është e vetmja pistë e profesionit dhe ushtrimit të detyrës së prokurorit. Për pistat e tjera duhet të merren organet ligjzbatuese, kam besim tek drejtësia dhe prokuroria”- tha Haluci.