Tritoli në makinën e prokurorit Kuliçi, reagon kryeprokurori Olsian Çela

Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar në lidhje me vënien e një sasie eksplozivi në makinën e prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi. Përmes një komunikate për shtyp, Çela është shprehur se të tilla akte dhune qartësisht synojnë pengimin dhe intimidimin e punonjësve të drejtësisë. Nga ana tjetër kryeprokurori i ri i vendit është shprehur se magjistratët kanë të gjithë mbështetjen e tij për të çuar deri në fund hetimin për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve.

Reagimi i plotë:

Në orët e para të mëngjesit të datës 21.12.2019, në qytetin e Vlorës një sasi eksplozivi është hedhur dhe ka shpërthyer në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi, i cili e ushtron këtë detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme janë duke u kryer hetime nga kjo prokurori dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë.

 

SHKARKO APP