Tritoli në pallatin e gjyqtarëve, zbulohet shkaku
Shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në pallatin e gjyqtarëve, pranë Gjykatës së Tiranës, dyshohet të jetë hakmarrje e ish-pronarit të apartamentit, që tashmë e ka në pronësi dikush tjetër.
Shtëpia në katin e dytë të pallatit ku u vendos një sasi tritoli ishte bllokuar nga një bankë e nivelit të dytë, pasi autori nuk kishte shlyer kredinë dhe për këtë arsye banka e kishte nxjerrë në ankand duke e shitur. Autori i dyshuar i ngjarjes, 58-vjeçari Arben Bardhi, u arrestua pasditen e djeshme në Lezhë.
Ndërsa burimet thanë se edhe 4 vite më parë ai kishte bërë të njëjtën gjë, duke vendosur eksploziv në banesën e bllokuar nga banka. Burimet thane se Policia kishte dijeni për vendndodhjen e autorit, i cili u konstatua në Lezhë, në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit.
Dy ditë më parë, në rrugën “Mihal Popi”, në Tiranë, në një pallat ku banojnë edhe disa gjyqtarë e prokurorë të njohur, në katin e dytë është vendosur një sasi lënde plasëse. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Burimet thanë se autori i dyshuar i ngjarjes ka pasur një konflikt të vjetër pronësie me pronarin e banesës, i cili është shtetasi Vasil Stavro.
NGJARJA
Paraditen e djeshme, Policia e Tiranës lajmëroi se kishte zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku në rrugën “Mihal Popi” shpërtheu dera e jashtme e banesës së një shtetasi nga një sasi lënde e dyshuar plasëse. Ndërsa sqaroi se ishte identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar, i cili u arrestua pasditen e djeshme në Lezhë. Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2 kryen arrestimin e shtetasit Arben Bardhi, 58 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, Bardhi dyshohet se i ka vendosur eksploziv banesës së Vasil Stavros edhe në vitin 2015. Sipas informacioneve, Stavro ka blerë banesën e Arben Bardhit, pasi këtij të fundit ia kishte sekuestruar banka. “Nga hetimet paraprake dyshohet se motiv i ngjarjes është një konflikt pronësie për pallatin, që në vitin 2015 ka qenë në ndërtim.
Sipas burimeve, kjo ndërtesë ka qenë në pronësi të shtetasit Arben Bardhi, deri në momentin që një bankë e nivelit të dytë ia ka konfiskuar për mosshlyerje detyrimesh të një kontrate të mëparshme. Pas konfiskimit nga pronari i parë, prona ishte blerë nga shtetasi Vasil Stavro”, thanë dje burime nga grupi hetimor.

SHPËRTHIMI EDHE NË VITIN 2015, PËR TË NJËJTIN KONFLIKT
Mbrëmjen e datës 29 maj 2015, një shpërthim i fuqishëm tritoli ndodhi në një pallat në ndërtim pranë kryqëzimit të shkollës “Vasil Shanto”. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale, ndonëse ndodhi në një zonë nga më të populluarat në kryeqytet.
Pista kryesore, në të cilën hetoi në atë kohë Policia për motivin e ngjarjes, ishte ajo e një konflikti pronësie. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 në rrugën “Bledar Shtylla”, vetëm 10 metra pasi kjo rrugë degëzohet nga bulevardi “Bajram Curri”.
Sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur pranë njërës prej shtyllave të betonit të pallatit në ndërtim. Nga fuqia shpërthyese e lëndës janë dëmtuar tri automjete, që gjendeshin të parkuara pranë trotuarit ku ndodhi shpërthimi. Vala e presionit ka dëmtuar edhe disa xhama të kateve të para të bizneseve në të njëjtën rrugë.
Sipas burimeve, kjo ndërtesë ka qenë në pronësi të shtetasit Arben Bardhi, deri në momentin që një bankë e nivelit të dytë ia kishte konfiskuar për mosshlyerje detyrimesh të një kontrate të mëparshme. Pas konfiskimit nga pronari i parë, prona ishte blerë nga shtetasi Vasil Stavro.
KOHA JONË SONDAZH

