Tronditëse/ E konfirmon ministrja e Arsimit, ja sa është numri i mësuesve të shtruar në spital

Gjashtë mësues ndodhen aktualisht në spital duke u trajtuar për koronavirusin. Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, gjatë një interviste me gazetaren Jonida Shehu, në Radari Informativ në ABC.

Po ashtu, Kushi u shpreh se ashtu siç çdo ditë ka mësues të infektuar, ka edhe të shëruar.

“Ne çdo ditë kemi mësues të infektuar por kemi dhe të shëruar. Disa janë me simptoma të lehta, disa janë të vetkarantinuar. Situata është dinamike dhe nuk kemi një shifër të saktë. Ne menjëherë bëjmë zëvendësimin e tyre. Për momentin, 6 mësues të shtruar në spital për shkak të infektimit me Covid,”  tha ndër të tjera ministrja.

Ndërsa, deri më tani, mësuesit që e kanë humbur betejën me koronavirusin, janë shtatë.

27 korrik- Gazion Rusi 39 vjeç, mësuesi i Medresesë, Shkodër

17 shtator- Nardi Xhemollari, 47 vjeç, mësues në Pogradec

28 tetor- Irena Bajlozi, 61 vjeç, mësuese në Përrenjas

10- nëntor- Gramoz Abedinaj, 60 vjeç, mësues në Roskovec

11 nëntor -Fatmir Sula, shkolla “Bishqem” në Peqin

11 nëntor- një mësuese në Elbasan, e shtruar prej 2 javësh tek Sanatoriumi

12 nëntor- Xhevit Dermyshi, 66 vjeç, mësues matematike në Gramsh

Pjesë nga biseda në ABC Radar:

Jonida Shehu: Mendoni se ishte i drejtë vendimi për mbylljen e universiteteve?

Evis Kushi: Unë do doja të isha në auditore, por ne e dimë shumë mirë që Komiteti i Ekspertëve ka të gjithë mundësitë për të vlerësuar situatën, dhe pas konsultimeve, analizave, informacionit dhe eksperiencave, arritën në këtë konkluzion, kështu që këtë gjë nuk mund ta them unë. Konviktet mund të jenë shkaktarë për përhapjen e sëmundjes. Për ne është e rëndësishme që të  minimizohet kontakti. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta, dhe më vjen mirë që janë marrë të gjithë masat.

Jonida Shehu: Ne kemi patur një material në “Universitetin Arteve”, ku studentët atje duket se janë më të penalizuar, e keni menduar këtë rast?

Evis Kushi: Është situatë e jashtëzakonshme dhe sakrificat duhet ti bëjmë të gjithë. Zgjidhja është që të kemi durim dhe të respektojmë rregullat, në mënyrë që ti kthehemi sa më shpejt jetës normale. Në këtë situatë, shëndeti është i pari.

Jonida Shehu: A ka një censurë për dhënien e informacionit ndaj rasteve me infeksion në shkolla?

Evis Kushi: Nuk ka asnjë udhëzim dhe nuk ka asnjë urdhër, që të censurohet informacioni, në lidhje me infektimin në shkolla. Në rrugë zyrtare ne na informojnë çdo ditë, për çdo problematikë në çdo shkollë. Është një sistem që funksionon më së miri. Nuk është detyra e mësuesve që të informojë çdokënd në lidhje me infektimet në shkolla.

Jonida Shehu: Si i bëni mbledhjet e kabinetit qeveritar, pasi siç dihet tre ministra kanë rezultuar me Covid-19?

Evis Kushi: Mbledhjet e qeverisë bëhen prej kohësh online, ndërsa me kryeministrin jemi takuar në aktivitete që kemi. Për sa i përket skenarëve të ndryshëm ato do të aplikohen në varësi të situatës epidemike, ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët. Kemi tre skenarë për mënyrën se si do zhvillojmë mësimin. I pari është ky që jemi tani, ndërsa i dyti është kryerja e mësimit të alternuar duke u zhvilluar online dhe në shkolla, ndërsa skenari i tretë është zhvillimi i mësimit online.

/abcnews.al

SHKARKO APP