Tronditi dje Tiranën, çfarë iu gjet në banesë të shumëkërkuarit Orges Bilbili
Personi i cili u bë shkak për plagosjen e një kalimtareje të rastësishme dje në zonën e Xhamllikut në Tiranë, është i shumëkërkuari Orges Bilbili.
Ai nuk iu përgjigj thirrjes së policisë për të treguar dokumentat, ndërsa ka kërcënuar me armë efektivin e policisë i cili është detyruar të vetëmbrohet dhe ka qëlluar.
Por kush është Orgen Bilbili?
Më së shumti ai njihet nga autoritetet si bashkëpunëtori i Laert Haxhiut në vrasjet Lushnjë në 2017 dhe rezulton se është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim për trafikim lëndësh narkotike.
Bashkë me Haxhiun, Orges Bilbili është i dyshuar edhe për atentatin, ku u plagosën Xhulio Shkurti (nipi i Aldo Bares) dhe Sajmo Xhelili.
Telashet për Bilbilin nuk përfundojnë këtu, pasi ai akuzohet edhe si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato, avioni i të cilit, ngeci në bregdetin e Divjakës, teksa po përgatitej për të trafikuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Itali.
Orges Bilbili jetonte në Tiranë në një banesë me qira së bashku me një person tjetër, për të cilin burime nga policia thonë se është shpallur në kërkim. Bilbili, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në kërkim për një sërë ngjarjesh kriminale, kishte me vete pasapostën e personit që jetonte me qira, me inicialet A.K, tashmë i shpallur në kërkim.
Shoqërimi i tij është i domosdoshëm për t’u marrë në pyetje në lidhje me njohjen që ka pasur me Orges Bilbilin por edhe për të zbuluar nëse thjesht ai e ka strehuar apo ka pasur lidhje me veprimtaritë e paligjshme të Bilbilit. Në banesën ku Orges Bilbli jetonte me qira policia ka gjetur edhe një armë zjarri pistoletë, tip Beretta.