Tropojë, demokratët presin rikthimin. Socialistët luajnë me kartën e qeverisë

Tropoja, xhevahiri i alpeve shqiptare, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, na kthen faqen tjetër për të parë realitetin, jo me sytë e turistëve, por me sytë e atyre banorëve, të cilët kanë mbetur pa u larguar.

Shpopullimi, klima e vakët e biznesit, mungesa e fuqisë punëtore, varfëria dhe shumë problematika të tjera rëndojnë jetesën e tropojanëve, duke i bërë ata pesimistë dhe mosbesues te politika. Me riorganizimin e institucioneve si gjykata, kadastra, paraburgimi etj, qytetarët duhet të udhëtojnë tre orë, të kalojnë dy dogana në hyrje e dalje të Kosovës për të shkuar vetëm për një dokument deri në Kukës.

Izolimi gjeografik, por edhe në shërbime i nxit jo vetëm të rinjtë, por edhe prindërit e tyre të shohin për mundësi largimi nga qyteti. Ndërsa të moshuarit përpiqen të mjaftohen me pensionin dhe ndihmat nga fëmijët emigrantë. Bashkia e Tropojës shtrihet në 1057 km katrorë dhe ndahet në 8 njësi administrative. Regjistri civil raporton për rreth 28 mijë e 200 banorë, ndërsa lista e votuesve përmban 21 mijë e 376, ku siç dihet përfshihen edhe emigrantët.

Qytetarët kanë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve për kryetar bashkie të provuar. Në garë janë ish-kryebashkiaku nga zgjedhjet e vitit 2015 dhe ish-deputeti i PD, Besnik Dushaj, me mbështetjen e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kryebashkiaku aktual Rexhë Byberi që kërkon mandatin e dytë nën siglën e Partisë Socialiste. Të dy i njohin vetes atribute kryesisht për investime në infrastrukturë, por thonë se kanë projekte të lëna përgjysmë për realizimin e të cilave kërkojnë votën edhe për 4 vite të tjera.

Kryefjala edhe në premtimet e tyre është Tropoja turistike, që deri më tani është asociuar me Parkun Kombëtar të Valbonës, por të dy këmbëngulin se bashkia është e pasur edhe me shume thesare të pashfrytëzuara turistike. Thembra e Akilit për Bashki të vogla si Tropoja është mbështetja nga qeveria për investime domethënëse. Fokusi është tek furnizimi me energji elektrike pa ndërprerje, sistemi vaditës dhe asfaltimi i rrugëve në zonat e thella.

Turizmi dhe as ekonomia nuk mund të zhvillohet pa kapital njerëzor të kualifikuar ose jo. Pyetja më e vështirë për dy kandidatët është se si do frenojnë shpopullimin dhe se si do i joshin tropojanët të kthehen në trojet e tyre. Ndërsa fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit vazhdon, banorët e Tropojës kanë mundësinë të zgjedhin jo vetëm programin më të mire e më realist që jep zgjidhje afatgjata dhe jo vetëm momentale. Kanë në dorë të zgjedhin kryebashkiakun që iu ka shërbyer më me efektivitet në të shkuarën.

SHKARKO APP