Trump dhe Biden përplasen në distancë për koronavirusin
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe sfidanti i tij demokrat, Joe Biden iu shmangën pyetjeve kryesore gjatë eventeve të veçanta me pyetje-përgjigje me votuesit, që u mbajtën dhe u transmetuan njëkohësisht në rrjete të veçanta televizive, pasi debati i planifikuar fillimisht për të enjten u anulua pasi Trump u prek nga COVID-19.
Përballja në distancë, ishte një kujtesë e zymtë për mënyrën se si është transformuar sezoni i fushatës nga një pandemi që ka nxitur më shumë se 18 milion njerëz të hedhin votat më shumë se dy javë para ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor. Ish-zëvendëspresidenti Biden, duke folur para votuesve në Filadelfia në televizionin ABC, fajësoi presidentin republikan se e kishte mbajtur të fshehtë shkallën reale të vdekshmërisë së virusit që ka infektuar gati 8 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara.
“Trump tha se nuk i tregoi askujt sepse kishte frikë se amerikanët do t’i kapte paniku. Amerikanët nuk përfshihen nga paniku. Ishte ai vetë që u kap nga paniku”.
Trump që foli për NBC e mbrojti reagimin e tij ndaj pandemisë, përfshirë këtu dhe aktivitetin në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, ku vetëm pak vetë mbanin maska ose praktikonin distancimin fizik, gjë që rezultoi në infektimin e shumë vetëve.
“Unë jam president – duhet të takohem me njerëz, nuk mund të rri në bodrum”.
Trump, i cili ndërpreu në mënyrë agresive Biden gjatë një debati kaotik dy javë më parë, ruajti të njëjtin ton luftarak, duke u përplasur shpesh me moderatoren Savannah Guthrie. Një debat përfundimtar mes tij dhe Biden vazhdon të jetë i planifikuar ende për në 22 Tetor në Nashville të Tenesi.