Trump: Duam ta blejmë Groenlandën, por nuk përjashtohet edhe ndërhyrja e ushtrisë
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar pretendimet ekspansioniste lidhur me Groenlandën. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan Donald Trump po diskuton një sërë opsionesh për të përvetësuar Groenlandën, përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake. “Presidenti amerikan e sheh Groenlandën si një prioritet të sigurisë kombëtare, të nevojshëm për të parandaluar kundërshtarët në rajonin e Arktikut”, thuhet në deklaratë.
Shtëpia e Bardhë shton se presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe se, sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm.
Ndërkohë, Wall Street Journal zbulon se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka thënë ligjvënësve se kërcënimet e fundit të administratës kundër Groenlandës nuk tregojnë një pushtim të menjëhershëm dhe se objektivi mbetet blerja e ishullit nga Danimarka. Sipas burimeve, takimi mes tij dhe funksionarëve të lartë të administratës është zhvilluar në një mbledhje me dyer të mbyllura, e fokusuar në operacionin për kapjen e presidentit venezuelian, Nicolás Maduro.
Zhvillimet vijnë disa orë pasi liderët europianë publikuan një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Danimarkës, e cila ka kundërshtuar fuqishëm ambiciet e Trump për ishullin në Arktik.
KOHA JONË SONDAZH

