Trump feston 100 ditët në pushtet: Sondazhet nuk tregojnë realitetin!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shënoi 100 ditët e para të mandatit të tij me një tubim të madh në Michigan, ku theksoi arritjet e administratës së tij dhe shpërfilli sondazhet që tregojnë rënie të mbështetjes popullore.
Në një fjalim me tone të forta politike, Trump e cilësoi këtë periudhë si një “revolucion të logjikës së shëndoshë” dhe riktheu retorikën e njohur kundër demokratëve dhe paraardhësit të tij, Joe Biden. Ai premtoi mbështetje për industrinë vendase të prodhimit të automjeteve duke njoftuar një sërë masash të reja tarifore.
“Kam vendosur me krenari një tarifë prej 25% për të gjitha automjetet e huaja që hyjnë në SHBA. Kjo do të sjellë vende pune në vendin tonë,” deklaroi Trump. “Por për fabrikat që montojnë makinat në SHBA, do të ketë zbritje tarifore nga 10 deri në 15% për pjesë të ndryshme të prodhimit.”
Presidenti njoftoi gjithashtu nënshkrimin e një urdhri ekzekutiv që u ofron këto lehtësira kompanive prodhuese, veçanërisht në sektorin e çelikut dhe aluminit, duke synuar të rigjallërojë zemrën industriale të vendit.
Ndër të tjera, Trump përmendi si arritje uljen e çmimit të karburanteve dhe kostove të jetesës, përfshirë produktet ushqimore. Megjithatë, pretendimi i tij se çmimi i vezëve ka rënë është hedhur poshtë nga ekspertët, të cilët theksojnë se rritja e çmimit është pasojë e një shpërthimi të gripit të shpendëve në vend.
Në planin ekonomik, Trump tha se gjatë tre muajve të parë të administratës së tij janë krijuar mbi 340 mijë vende të reja pune. Lidhur me emigracionin, ai pretendoi se muajin e fundit ka pasur vetëm tre kalime të paligjshme në kufi, ndonëse të dhënat zyrtare të publikuara nga BBC flasin për 7,181 kalime të tilla në mars – shifra më e ulët mujore që nga viti 2000.
Trump e mbylli fjalimin me premtimin për të mbajtur të gjallë “frymën e ndryshimit” dhe për të luftuar, siç tha ai, “politikat e dështuara të së shkuarës.”
KOHA JONË SONDAZH

