Donald Trump do heq ”non gratën” për Berishën? Belind Këlliçi: Do hetohet dhe do revokohet masa e dhënë nga administrata e vjetër
Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi thotë se administrata e re amerikane do të merret dhe me rajonin e Ballkanit e madje mund të rishikojë vendime të marra nga paraardhësit e tyre, duke përfshirë këtu dhe sanksionet ndaj kreut të PD, Sali Berisha.
“Në momentin që në janar, Trump do të bëjë betimin dhe në momentin që kjo fitore shoqërohet me një fitore në Senat dhe Kongres, personat përgjegjës në DASH do merren me Ballkanin dhe Shqipërinë. Janë të lirë për të zhbërë çdo vendim të gabuar nga administrata e mëparshme. Pa diskutim që një vendim mund të revokohet dhe këtu përfshihet dhe shpallja e non grata e Berishës dhe këtu ka një precedent, siç është çështja e kryeministrit të Indisë, politikanë në Turqi, Hungari, që dikur kanë qenë të sanksionuar nga DASH dhe më pas janë hequr”, tha Këlliçi për ”A2cnn”.
Sipas tij, do të hetohet dhe ndikimi që ka pasur Fondacioni “Shoqëria e Hapur” në reformën në drejtësi. ”Ajo çka është thelbësore është për reformën në drejtësi, ndikimin e Soros në këtë reformë. Dhe kjo çështje nuk diskutohet vetëm në Shqipëri. Fondacioni “Shoqëria e Hapur” është donatori kryesor i reformës në drejtësi. Berisha ndodhet në izolim pa fakte pa prova. Vendimi për non gratën është marrë dhe nën ndikimin e fondacionit “Shoqëria e Hapur”, tha Këlliçi.