Trump konfirmon: Pompeo dhe Haley nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ri

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump tha dje në mbrëmje se nuk do të ftonte ish-ambasadoren amerikane në OKB, Nikki Haley ose ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo për t’iu bashkuar kabinetit të tij të ri.

Dy republikanët kishin shërbyer gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.

“Unë nuk do të ftoj ish-ambasadoren Nikki Haley ose ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, për t’iu bashkuar administratës Trump, e cila aktualisht është në formim”, tha presidenti i zgjedhur në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

“Më pëlqeu dhe vlerësova shumë punën me ta më parë dhe do të doja t’i falënderoja për shërbimin e tyre ndaj vendit tonë”, shtoi ai.

Trump ka filluar të krijojë një ekip për mandatin e tij të dytë në detyrë pas fitores së tij në zgjedhjet amerikane të martën.

Të premten, ai njoftoi se menaxherja e fushatës së tij, Susan Wiles, do të shërbejë si shefe kabineti e Shtëpisë së Bardhë, gruaja e parë që do të mbajë këtë post.

Mediet amerikane kishin raportuar se Pompeo, i cili shërbeu si drejtor i CIA-s dhe kryediplomat, po diskutohej si një kandidat i mundshëm për sekretar të Mbrojtjes.

Ndërkohë, Haley-t iu dhanë shanse të pakta për t’u bashkuar me ekipin e Trump.

Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut u tërhoq nga gara për nominimin e republikanëve në mars pasi u mund nga Trump në zgjedhjet paraprake, megjithatë ajo nuk e miratoi menjëherë atë.

Marrëdhëniet mes Haleyt dhe Trumpit ishin të mbushura me sulme personale, me Haleyn që pyeti nëse ish-presidenti ishte i aftë mendërisht për të kandiduar për postin, ndërsa Trump sulmoi Haleyn, prindërit e së cilës janë emigrantë indianë, me komente raciste./ a.jor. ATSH

SHKARKO APP