Trump pezulloi fondet, SPAK: Mbështetemi te buxheti i shtetit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dje njoftoi Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për pezullimin e fondeve amerikane pas një urdhri të presidentit Trump. Në mesin e tyre është edhe SPAK. Vetë Prokuroria e Posaçme ka reaguar, duke theksuar se ky institucion mbështetet tek buxheti i shtetit.

”Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit.

Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”.

SHKARKO APP