Trump: Si u zhdukën votat?! Biden: Presim deri në numërimin e votës së fundit

Rezultati aktual i zgjedhjeve në SHBA është ende i paqartë. Numërimi ka përfunduar në pjesën më të madhe të shteteve, por pa përcaktuar fituesin.

Beteja elektorale po zhvillohet në 7 shtetet ku procesi nuk është mbyllur. Deri më tani Joe Biden ka marrë 224 vota elektorale ndërsa Presidenti Donald Trump 213 vota elektorale.

Për të shpallur kandidatin fitues duhen 270 vota.

Në një reagim të fundit, Presidenti i SHBA, Donald Trump, në një postim në Twitter hedh dyshime për manipulime dhe numërim selektiv të votimeve. Trump shkruan se një natë më parë ai ishte duke kryesuar në gjithë shtetet me sondazhe, por “sot votat janë zhdukur si me magji”.

“Mbrëmë unë kryesoja, shpesh edhe në mënyrë solide, në shumë shtete kyç, në pothuajse të gjitha të drejtuara dhe kontrolluara nga Demokratët. Pastaj, një nga një, filluan të zhdukeshin si me magji, teksa u numëruan vota të hedhur befasisht. Shumë e çuditshme, dhe ‘sondazhbërësit’ e patën krejtësisht e historikisht gabim”,- shkruan Trump në reagimin e tij.

Kandidati demokrat për president i SHBA, Joe Biden ka bërë thirrje për numërimin e çdo vote. Në një mesazh publikuar në rrjetet sociale, Biden shprehet se duhet pritur numërimi deri në fund.

 

SHKARKO APP