Trump thirrje Gjykatës së Lartë në Amerikë: Shtyni ndalimin e Tik Tok-ut
Presideti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trump i bën thirrje Gjykatës së Lartë që të shtyjë vendimin për ndalimin e TikTok-ut, për t’i lënë atij hapësirë që të punojë për një “zgjidhje politike”. Më 10 janar, gjykata do të dëgjojë argumentet mbi një ligj amerikan që kërkon që pronari kinez i TikTok, ByteDance, t’i shesë kompaninë e mediave sociale një firme amerikane ose do të përballet me ndalim të përdorimit të rrjetit social në SHBA duke nisur nga 19 janari, një ditë para se Trump të marrë detyrën.
Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë kishin akuzuar ByteDance për lidhje me qeverinë kineze, por firma e mohon. Këto pretendime për një aplikacion që ka 170 milionë përdorues në SHBA e çuan Kongresin të miratonte një projektligj në prill, të cilin presidenti Joe Biden e nënshkroi duke e shndërruar në ligj, që përfshinte kërkesën për heqjen ose ndalimin e TikTok.
TikTok dhe ByteDance kanë paraqitur argumente të shumta kundër ligjit, duke argumentuar se ai kërcënon mbrojtjen e fjalës së lirë amerikane. Gjykata e Lartë ka refuzuar më parë të veprojë në lidhje me një kërkesë për një urdhër urgjence kundër ligjit, ajo ra dakord të lejojë TikTok, ByteDance dhe qeverinë amerikane të paraqesin çështjet e tyre më 10 janar, vetëm disa ditë përpara se ndalimi të hyjë në fuqi.
Departamenti i Drejtësisë ka argumentuar se lidhjet e pretenduara kineze me TikTok paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe qeveritë e shumta të shteteve kanë ngritur shqetësime në lidhje me aplikacionin e njohur të mediave sociale. Trump ka thënë publikisht se e kundërshton ndalimin, pavarësisht se ka mbështetur një të tillë në mandatin e tij të parë si president.