Trupi i Sulës erdhi pa zemër në atdhe, e motra protestë para ministrisë së Drejtësisë: Bëhet fjalë për trafik organesh
Motra e Saimir Sulës nuk dorëzohet pa marrë drejtësinë. Edhe njëherë tjetër ajo ka dalë në protestë. Majlinda Sula, motra e të ndjerit Saimir Sula, trupi i të cilit erdhi në atdhe pa organin e zemrës, i ka kërkuar ministrit Ulsi Manja të kontaktojë me homologët spanjollë për zbardhjen e ngjarjes.
Ajo tha se qartazi bëhet fjalë për një rast të trafikut të organeve dhe se prokuroria shqiptare, ende nuk ka bërë asnjë veprim për të hetuar plotësisht denoncimet e familjarëve.
“Këtu logjikisht ka trafik organesh. Nëse nuk është trafik organesh, ku është zemra? Nuk po mendojmë për një moment që është trafik organesh, ma thoni ju ku është zemra dhe pse është kaq e vështirë të bëhet një ADN. Zoti Manja në 3 vite rradhazi, ju mbajtët heshtje. Nuk i kërkuar llogari homologes për 7 letër porositë që janë dërguar. Zonja Suela Salavaçi prokurore e rastit në Shqipëri, keni një rast të hapur për trafik organesh.
Kodin Penal nuk e kemi bërë ne si familje. Nëse keni një rast të tillë, ju këtë rast më tregoni si do e mbyllni? Pse nuk e hetoni, pse nuk është vijuar hetimi në 3 vite? Unë iu kam nisur me një USB videot e vdekjes së vëllait tim, pse nuk keni interes për të parë këto video ku tregohet Saimiri i masakruar nga 8 rojet e spitalit publik në Spanjë?”,-tha e motra.