Tryezë diskutimi për kushtet e punës në median audiovizive: AMA dhe Inspektorati i Punës nisin vlerësimin e standardeve
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, organizoi sot një tryezë bashkëbisedimi me fokus në përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët dhe punonjësit e sektorit mediatik audioviziv.
Kjo tryezë shënon aktivitetin e parë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, dhe ka për qëllim krijimin e një mjedisi pune të sigurt, profesional, të drejtë dhe dinjitoz për të gjithë punonjësit e këtij sektori.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të mediave audiovizive, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët ndanë shqetësime të drejtpërdrejta mbi problematika të ndryshme, si mungesa e kontratave, informaliteti, vonesat në pagesa apo mospagimi i sigurimeve shoqërore.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, theksoi në fjalën e saj hapëse se sfidat me të cilat përballet sektori nuk janë vetëm teknologjike, por edhe strukturore dhe ligjore. “Kemi marrë sinjalizime nga gazetarët për mungesën e garancive në vendin e punës. Marrëveshja me Inspektoratin është një hap konkret për të adresuar këto shqetësime në mënyrë institucionale”, deklaroi Krasniqi.
Nga ana tjetër, kreu i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj, prezantoi sistemin inteligjent MIRA – një platformë që analizon riskun dhe përmirëson inspektimet, duke garantuar eficencë dhe transparencë në proces. Sipas tij, gjatë periudhës 2024-2025 janë realizuar 135 kontrolle në subjekte mediatike, ndërkohë që ankesat më të zakonshme lidhen me mospagimin e pagave, mungesën e kontributeve dhe mosrespektimin e procedurave të largimit nga puna.
Tryeza u konsiderua si një hap i parë drejt forcimit të standardeve të punës në median audiovizive, me synimin për ta çuar këtë sektor në një nivel më të lartë të profesionalizmit dhe ligjshmërisë, sidomos në kuadër të procesit të integrimit evropian. Punimet u mbyllën me diskutime të hapura ku gazetarët ndanë përvoja konkrete dhe pritshmëritë për një mbrojtje më të mirë të të drejtave të tyre në vendin e punës.
KOHA JONË SONDAZH

