Tubimi i 2 marsit, Bejtja: Opozita nuk mund të vazhdojë me “Po të dëgjoj”

Analisti, Andi Bejtja, thotë se tubimi i 2 marsit i thirrur nga Presidenti do të ridimensionojë edhe opozitën.

Kjo e fundit sipas tij do të duhet të pozicionohet qartë pasi nuk mund të bëjë sehir përballë një angazhimi kaq të madh të Kreut të Shtetit.

Bejtja: Opozita ridimensionohet. Në gjithë këtë lëvizje të madhe që po merr presidenti opozita nuk mund të vazhdojë me sloganin “Po të dëgjoj”. Këtej dalin njerëzit në shesh, nuk e di sa do të dalin, dhe ti të vazhdosh “Po dëgjojmë”. Automatikisht kjo lëvizje e Presidentit ridimensionon dhe opozitën. Mbetet për tu parë në çfarë shkalle, në çfarë grade.Presidenti ka bërë llogaritë e veta dhe e gjitha do të duket sesa njerëz do të mblidhen në shesh atë ditë.

I ftuar në Rtv Ora, Bejtja thotë se Meta me këtë lëvizje po merr indirekt flamurin opozitar.

Bejtja: Indirekt edhe nëse nuk ka ndërmend ta marrë, e rrezaton një gjë të tillë. Kur shkelet Kushtetuta edhe Presidenti nuk ka si të mos bëhet opozitar.

Po sa normale është një sjellje e tillë e Presidentit?

Bejtja: Nëse e shikon në mënyrë laboratorike mund të çuditesh por nëse e shikon me shkeljet që janë bërë mendoj se Presidenti ka arritur të argumentojë çdo shkelje. Për mua ka qenë tronditëse sesi një dekret nuk botohet në Fletoren Zyrtare. Presidenti është shquar për maturi dhe mendoja se në atë moment do të kishte një lëvizje më të fortë, është i vonuar.

SHKARKO APP