Tubimi i Metës, Henri Çili: I shërben ekuilibrit politik. Alfred Peza: Do ta shkarkojmë brenda disa javësh
Me një deklaratë jo shumë të papritur rreth një javë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta në lajmëroi se më 2 mars do të firmosë dekretin e parë për çmontimin e atij që ai e konsideron “grupin organizator të grushtit të shtetit ndaj reformës në drejtësi”.
Me tona të ashpra ndaj Qeverisë dhe Parlamentit, Meta akuzoi se pas tentativave për të kapur Gjykatën Kushtetuese fshihet Kryeministri, Edi Rama. Presidenti foli dhe për “drejtësi të re” pas parandalimit të grushtit të shtetit, duke thënë se, përgjegjësi kryesor do të jetë z. Rama.
Për të folur rreth nismës më të fundit të kreut të shtetit, në studion e Ilva Noë ishin Alfred Peza, sekretar për marrëdhëniet me shoqërinë civile dhe mediat në PS dhe Henri Çili, analist.
Për analistin Henri Çili veprimi i fundit i presidentit është në thelb ritheksim i tripolaritetit të politikës shqiptare, por që në thelb sipas tij i shërben vendosjes së ekuilibrit politik që mungon prej kohësh në vend,
“Duket pak si viti 2009, ristrukturimi i tripolaritetit, ku Meta përtej ish-kryeministër, ish-kreu i LSI po rikrijon një moment politik, sot nga llogorja e presidentit për të qenë një garues i sigurt në zgjedhjet e ardhshme kur të vijnë”, tha Çili.
Por për sekretar për marrëdhëniet me shoqërinë civile dhe mediat në PS tripolariteti gjendet brenda opozitës, me kreun e PD, Lulzim Basha, Presidentit Ilir Meta dhe opozitën e re parlamentare. Z. Peza e cilësoi plotësisht antikushtetuese sjelljen politike të presidentit, që sipas kushtetutës duhet të qëndrojë mbi palët ndaj paralajmëroi se shumë shpejt mazhoranca do mbledhë komisionin për shkarkimin e tij.
“Pritet të shkohet drejt këtij vendimi duke qenë se presidenti po e thellon antikushtetutshmërinë e tij. Presidenti në momentin që do të dalë nga presidenca në rrugë, që nuk është e sanksionuar në kushtetutë si e drejtë apo detyrë e presidentit, çka e bën të tejkalojë të drejtën e tij si president dhe kjo bën atë që ai e thellon shkeljet kushtetuese, çka e bën mazhorancën njësoj të vendosur sa edhe presidenti të shkojë edhe më e vendosur për shkarkimin e tij”, tha z. Peza.
/Euronews Albania