Turizmi, Klosi: Jemi ende në fazën e duarve me shkumë, dhe jo schuma-party
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi tha se në nëse situata e pandemisë në vendin tonë vijon të qëndrojë pozitive atëherë nga fundi i muajit maj apo fillim qershori mund të fillojnë Charter-at e parë me turistë drejt vendit tonë nën masa shumë strikte higjieno-sanitare dhe ruajtjes së distancimit social. Do të jetë një turizëm i vështirë, tha ministri Klosi, por që do të nis të funksionojë por pa humbur vigjilencën.
“Në fund të muajit maj ose fillim qershori nëse gjërat shkojnë kështu siç mendojnë se po shkojnë do të fillojnë Charter-at e parë me udhëtim të dedikuar dhe me kontrolle shumë strikte me turistë të huaj dhe me kontroll të madh të higjienës, distancimit social. Do të jetë një turizëm i vështirtë, por edhe një turizëm që do të fillojë të mbajë të gjithë sistemin e turizmin. Pra shpresojmë të nisim me Charter-at e parë, kompanitë e transportit dhe prenotimet e para. Me këto kushte që kemi por pa humbur vigjilencën ne do të kemi padyshim dhe këtë vit turizëm të organizuara”, tha Klosi.
Klosi tha se nuk duhet pritur festa të mëdha, disko me njerëz apo schuma-party, por çdo restorant e hotel duhet të sigurojë në maksimum distancimin social dhe kushtet higjienike.
“Asgjë nuk do të jetë siç ka qenë, nuk do të kemi organizim e të madh e festa të madha. disko apo schuma-party, por struktura që duhet të menaxhohen në mënyrë shumë të organizuar për të ruajtur higjienën dhe distancimin. Jemi ende në fazën e duarve me shkumë dhe jo schuma-party”, tha Klosi.
Ministri Klosi tha se mbi 80 % e turistëve janë tokësor dhe na vijnë nga rajoni, ndërsa shtoi se pjesa më e prekur e këtij sektori është ajo e eksportit turistik me mbylljen e linjave ajrore dhe kufijve.
“Mbi 80 % e turistëve vijnë nga toka shumë më tepër vizitor do të vijnë nga rajoni nga Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnja apo Bullgaria . Sektori ka nevojë që të jetë solid pasi nuk funksionon dot vetëm nga një hotel dhe restorant, por janë mbi 200 mijë kontributor direkt ose indirekt në këtë sektor”.
Këtë vit tha Klosi do të bëjmë ceremoni hapje të turizmit kur të ulet Charter-i i parë me turistë të huaj.