Turizmi, mbërrin në Durrës kroçera me 1518 turistë në bord

Në portin e Durrësit mbërriti sot në orët e para të mëngjesit kroçera “Thomson Majesty”, me 1518 turistë në bord. Anija me gjatësi 207 metra u ankorua pa probleme në kalatën 5 të portit. Ky është lundrimi i parë i saj drejt Durrësit, ndërsa mësohet se vetëm gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vijë në portin më të madh të vendit edhe 3 herë të tjera.

Kroçera ka sjellë në Durrës 1518 turistë nga 13 vende të ndryshme të botës. Pjesa më e madhe e tyre, 1410 vetë, janë britanikë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga Irlanda (37), Spanja (18), Meksika (33), si dhe Australia, Italia, Kroacia, Greqia, SHBA, Malajzia, Ukraina, Hollanda dhe Franca. 

12 autobuzë me turistë të huaj u nisën drejt Krujës, Tiranës dhe Beratit në guidën turistike shqiptare. Pjesa tjetër nisën vizitat në qendrat muzeale dhe arkeologjike të qytetit bregdetar. Mes tyre edhe një grup me 60 nxënës 15-16-vjeçarë, kryesisht meksikanë.

Lundrimi është pjesë e një turi 2-javor, që ka nisur në Korfuz më 15 maj dhe do të përfundojë po në ishullin grek pas dy ditësh. Ndërkohë, turistët kanë vizituar edhe portet në Mikonos, Kusadasi, Pireu, Chania, Kalamata, Ravena, Venecia, Rijeka dhe Dubrovnik.

Kroçera “Thomson Majesty” hapi sezonin turistik të kroçerave për vitin 2015 në portin e Durrësit. Sipas të dhënave të APD, ajo do të pasohet nga 10 kroçera të tjera, që kanë konfirmuar tashmë lundrimin e tyre drejt Durrësit.

 Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “Thomson Majesty” do të niset sot në mbrëmje drejt Korfuzit. 

SHKARKO APP