Turizmi në vjeshtë. Saranda “pushtohet” nga 75 jahte turistike dhe 6 kroçera
Qyteti bregdetar i Sarandës me plazhet mahnitëse, ujin e kristaltë dhe monumentet e shumta kulturore po vizitohet gjithnjë e më shumë në çdo stinë nga turistët e huaj.
Edhe pse ende vjeshtë gjatë muajit tetor në portin e Sarandës, pati një fluks të shtuar të turistëve të huaj, që kanë ardhur me kroçera apo jahte.
Drejtoresha e portit të Sarandës, Kozeta Statha bën të ditur për ATSH-në se “në muajin tetor të këtij viti kanë ardhur 75 jahte turistike dhe 6 kroçera”.
Sipas drejtoreshës Statha, kroçerat kanë pasur në bord turistë nga Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Irani, Italia, Spanja, Zvicra, Ekuadori, Polonia, etj.
Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara turistike për turistët e huaj që vizitojnë vendin tonë me kroçera dhe jahte turistike.
Në periudhën janar-gusht 2019 Sarandën e vizituan 1255 jahte turistike, si dhe 215 tragete turistike nga këto 31 tragete Cruises.
Qyteti i Sarandës, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Plazhi i Pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i Pasqyrave, i Ksamilit, etj., ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.
I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./ATA/