Turizmi, Sakja: Kavaja dhe jo vetëm është para një basti të madh
Kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja i ftuar në “Arena” në Ora News, tha se këtë vit pret një numër më të lartë turistësh, duke theksuar se ka prenotime edhe nga suedezët.
”Kavaja dhe jo vetëm Kavaja është para një basti të madh. Presim një numër të madh turistësh. Kemi këtë vit edhe nga Suedia. Në Kavajë vetëm këtë vit kemi pasur investime shumë serioze që konkurrojnë me hotelet më të mira në Evropë. Kjo duhet të përgjigjet edhe me investime nga pushteti lokal dhe qendror. Ka investime, por janë të ulëta. Ne jemi përpjekur që 70 për qind të buxhetit të Kavajës ta orientojmë drejt turizmit, por aktualisht është shumë pak”,-tha Sakja.
Më tej Sakja, tha se hotelet që ofrojnë shërbime all-inclusive do të punojnë me kilometër zero, duke blerë kështu të gjitha produktet në zonë.
”Problemet madhore në zonat turistike, problemet madhore i kemi mbyllur. Sipërmarrësit që kanë investuar në zonën bregdetare kanë shprehur interesin në Bashkinë e Kavajës për të marrë troje me qira për të investuar. Sfida jonë është t’i harmonizojmë. Kemi shumë resorte që punojnë me All-Inclusive, dëshira ime e madhe është që këto resorte të punojnë me km zero, që do të thotë çdo gjë që i duhet të blihet në Bashkinë e Kavajës. Unë si kryetar bashkie jam investuar shumë fort dhe kam lidhur kontrata të mira mes fshatarve dhe hoteleve të zonës”.
KOHA JONË SONDAZH

