Tushaj: Një mjedis i pastër është shëndet i mirë

 

Në kuadër të Ditës Nderkombetare të Biodiversitetit, por mbi të gjitha nismës së 22 majit “Ta  Pastrojmë Shqipërinë në një Ditë” në qytetin bregdetar të Shengjinit u organizua një aktivitet sensibilizues, ku morën pjesë nxenës nga shkollat 9-vjeçare të rrethit të Lezhës. Ky aktivitet u mundësua nga bashkia e Lezhës, Drejtoria Rajonale e Arsimit dhe organizata të ndryshme që operojnë në Lezhë.

Kryebashkiaku Viktor Tushaj, njëkohësisht kandidat i Mazhorancës për Bashkinë e Lezhës u bë pjesë e këtij aksioni sensibilizues, ndërsa iu drejtua të rinjëve: “ Është kënaqësi të marrësh pjesë në evente të tilla, kjo është Dita për një Shqipëri të Pastër. Ne kemi nevojë për një shoqëri  të shëndetshme, por kjo mund të arrihet vetëm kur kemi një mjedis të pastër. Kjo ditë, ky aksion është mesazhi më i mirë që iu japim të rinjëve, komuniteteve të veçanta e gjithë qytetarëve për pastrimin  e territorit dhe krijimit të një mjedisi të përshtatshem për fëmijët tanë”.

Ai iu bëri thirrje nxënësve të pranishëm dhe jo vetëm, që nisma të tilla sensibilizuese por edhe rezultative të jenë më të shpeshta, pasi sipas Tushajt nuk mjafton një ditë për të mbajtur pastër mjedisin ku jetojmë. Duhet një përpjekje e vazhdueshme që të sjellë ndryshimin dhe të na çoje në rrugën e duhur.

Nderkohë Drejtori Rajonal i Arsimit Bardhok Pulaj, tha se iniciativa të këtij lloji janë të vlefshme për ambjentin por mbi të gjitha edukojnë fëmijet të mbajnë paster mjedisin ku jetojnë dhe kudo që ata janë të përcjellin mesazhin e një Lezhe më të  pastër, e një Shqipërie më të paster.

Pas fjalimeve, të pranishmit janë hedhur në aksion ku kanë çliruar sadopak nga mbetjet që e kishin pushtuar plazhin e Shengjinit. Ky bregdet çdo vit frekuentohet nga mijëra turistë për vetë bukuritë dhe vlerat që ka. Mirëpo ndër vite është bërë pak për zhvillimin e këtij bregdeti që premton shumë për zhvillimin e turizmit veror.

SHKARKO APP