Tushaj: Nuk kemi më kohë për të humbur

 

Kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së ish-Ushtarakëve.

I shoqëruar dhe nga deputeti i Qarkut të Lezhës, z. Arben Ndoka, Kandidati i ASHE-së theksoi se Shoqata e ish-Ushtarakëve ka nevojë për më shumë vëmendje për shkak të barrierave që ka kaluar. Në fjalën e tij, z. Tushaj tha se Qeveria shqiptare e ka kthyer tashmë vëmendjen nga kjo kategori, duke qenë të vëmendshëm edhe për kontributin që ata kanë dhënë e vazhdojnë të japin në zhvillimin e shoqërisë.

“Më lejoni t’ju falënderoj që në harkun këtyre tetë viteve unë kam patur mbështetjen e pakursyer tuajën, një mbështetje  e cila ka ardhur përmes sugjerimeve, ideve tuaja dhe unë jam i bindur se të gjitha këto e kanë pasuruar atë strategji dhe atë vizion që unë kam patur pikërisht për t’i dhënë qytetit të Lezhës ecurinë e zhvillimit dhe transformimit të tij. Fushata elektorale nuk do të realizohej me cilësinë e duhur dhe ne nuk do të kishim mundësinë që të trokisnin në mendjen dhe shpirtin e 120 mijë banorëve të Bashkisë së re të Lezhës.  Unë vij sot përpara jush në këtë takim me eksperiencën e një kryetari bashkie që është përpjekur gjatë këtyre 8 viteve të realizojë ato projekte që ka patur nevojë qyteti. Është shumë e rëndësishme të thuhet se gjatë kësaj përpjekje unë kam ditur të besoj dhe të krijoj ato modele që ne na udhëheqin në  zhvillimin ekonomik, social e kulturor të qytetit. Është shumë e rëndësishme të theksohet se projektet infrastrukturore të realizuara në shkolla janë sot modelet më të mira, jo vetëm të rrethit, por të mbarë Shqipërisë.  Modelet infrastrukturore në rrugë, në sheshe janë ato të cilët besoj sot janë projekte që jo vetëm po mbahen si projektet më të mira në Shqipëri, por jam i bindur se do të ndikojnë në cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve”, tha z. Tushaj.

Në vijim të fjalës së tij, z. Tushaj u shpreh se me këtë mbështetje të jashtëzakonshme, do të realizohen një numër i madh projektesh për Bashkinë e re të Lezhës. “Me atë mesazh që ju do të dini të përcillni në çdo familje lezhjane, besoj se do të me jepni mundësinë që projektet të cilat janë hartuar për zhvillimin ekonomik, social e kulturor të bashkisë së re do të mbështeten nga Qeveria shqiptare, do të mbështeten nga Kryeministri , do të mbështeten nga mazhoranca dhe nga “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, por dhe nga partnerët dhe nga donatorët. Dëshiroj t’ju them që mandati është shumë i rëndësishëm. Është sfida jo  vetëm e kryetarit të Bashkisë dhe e deputetëve,  por besoj është një sfidë për të gjithë ne për të siguruar zhvillimin e qytetit, për të siguruar zhvillimin dhe një garanci edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është shumë e rëndësishme të them sot që mbështetja për kryetarin e bashkisë është sfida jonë e përbashkët, por duhet të dini se kryetari i bashkisë ka nevojë edhe për parlamentin e tij, ka nevojë edhe për këshillin bashkiak. Të marrim vendimin e duhur në një kohë sa më të shkurtër për të mos humbur kohë”, theksoi z. Tushaj.

Duke shprehur mbështetjen dhe vlerësimin për kandidatin e së majtës për Bashkinë e Lezhës, deputeti i PS-së, z. Arben Ndoka, kërkoi mbështetjen e ish-ushtarakëve më 21 qershor, në mënyrë që Lezha të vijojë rrugën e zhvillimit të sigurtë.  Z. Ndoka vlerësoi rolin që kanë luajtur ushtarakët dhe kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare.

“Unë ju premtoj që do ta çojmë zërin në Parlament dhe kudo ku nevojitet. Sot jemi për të kërkuar mbështetjen për Viktorin, për të kërkuar votën dhe influencën tuaj nëpërmjet kontributit të dhënë në vite jo vetëm në qytetin e Lezhës, por në të gjithë rrethin, në mënyrë që të kemi një fitore me rezultat sa më të thellë. Të kemi një fitore e cila të na shërbejë në katër vitet e ardhshme ashtu siç edhe Viktori ka vënë në dispozicion vullnetin,dëshirën dhe vizionin e tij”, tha z. Arben Ndoka.

Ndërkohë ish-ushtarakë, teksa kanë shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që kanë patur këto 8 vite nga kryebashkiaku Viktor Tushaj, i kanë siguruar atij mbështetjen e pakushtëzuar duke theksuar se kjo aleancë meriton të qeverisë edhe për katër vitet e ardhshme në Lezhë.

Kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj i shoqëruar dhe nga deputetja e Qarkut të Lezhës, znj. Monika Kryemadhi, zhvilloi një takim edhe me personeli shëndetësor në komunën e Shënkollit, e cila prej vitesh punon në kushte aspak të përshtatshme. Z. Tushaj garantoi stafin mjekësor që punon në këtë qendër shëndetësore për investime dhe për ndryshimin e kushteve të punës me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve të kësaj zone.

SHKARKO APP