Tushaj takohet me banorët e Balldrenit: Do shpëtojmë sektorin e bujqësisë

 

Edhe pse Lezha është një ndër zonat fushore më prodhuese në vend, resurset e saj asnjëherë nuk janë menaxhuar siç duhet.

Një fakt i tillë u diskutua gjatë takimit që kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Lezhë, Viktor Tushaj zhvilloi me fermerët në Komunën e Balldrenit.

Gjatë bashkëbisedimit Tushaj, teksa e cilësoi si të vështirë situatën, garantoi fermerët se me qasjen e re edhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e bujqësisë, por edhe me angazhimin e tij të plotë si kryetar i ardhshëm i bashkisë, do të jetë i mundur shpëtimi i këtij sektori, i cili do të mund të prodhojë mirëqenien e munguar për banorët e zonës dhe jo vetëm.

“Ne jemi zgjidhja e duhur që në të ardhmen numri i fermerëve të rritet. Me qasjen e qeverisë shqiptare sektori i bujqësisë do të marrë zhvillim dhe do të prodhojë mirëqenien e munguar për qytetarët. Me mbështetjen e qeverisë dhe deputetëve të Qarkut Lezhë projektet tona për sektorin e bujqësisë do të realizohen.

Ne duhet të investojmë në kapacitetet njerëzore dhe në fushat e malet tona në mënyrë të integruar. Të punojmë që t’u japim mundësi brezave pasardhës që të punojnë më mirë”, tha Tushaj.

Në mbështetje të kandidatit Viktor Tushaj ishte edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, sipas së cilës sektori i bujqësisë është dëmtuar shumë në këto vite tranzicioni, kjo për shkak të keqmenaxhimit, copëtimit të pronës dhe shkaqeve të tjera objektive.

“Lezha mundet dhe duhet të mbështetet në sektorin e bujqësisë, si një ndër burimet kryesore të zhvillimit ekonomik të këtij rrethi.

Bujqësia në këto vite tranzicioni është dëmtuar së tepërmi për shkak të keqmenaxhimit.

Është për të ardhur keq që asnjë pushtet nuk ka mundur të bëjë asgjë në përmirësimin e situatës. Është momenti i duhur dhe i vetmi për të besuar se qeveria Rama e ka seriozisht kur flet për zhvillimin e bujqësisë.

Në respekt tuaj që jeni njerëz të punës besojini një njeriu që është po aq i punës sa ju, Viktor Tushaj”, deklaroi Kodheli.

Ndërkohë, vetë fermerët gjatë bashkëbisedimit ngritën edhe një herë shqetësimet e tyre, siç janë mungesa e një sistemi vaditës, problemet me kanalet kulluese, mungesa e një vendi grumbullimi apo përpunimi, si dhe mungesa e një tregu, të cilat jo vetëm e vështirësojnë punën e tyre, por shpeshherë e çojnë në faliment të gjithë prodhimin.

 

SHKARKO APP