Tushi: Moli më i sigurt në këto momente është shtëpia
Për sociologun Gëzim Tushi moli më i sigurt i ankorimit social në këtë situatë me koronavirusit është shtëpia.
Në një lidhje me Skype në “360gradë” nga Artur Zheji në TV Ora, ai tha se ky është një mësim i madh për të qenë përballë kësaj sëmundjeje.
“Sot për sot kemi vetëm një mol të sigurt të ankorimit social dhe kjo është shtëpia, familja. Ky është një mësim i madh për të qenë përballë kësaj sëmundjeje, në vend që të sjellin këto idetë psiko-vampire që i thithin vullnetin dhe e paralizojnë njeriun”, tha Tushi.
Ai u shpreh se në situata të tillë, si kjo e koronavirusit vendi ka nevojë për lidership të fortë.
“Në mënyrë të tërthortë politika ka përgjegjësitë e saj, por unë mendoj që në situata të fatkeqësive të mëdha natyrore dhe në pandemi të mëdha sociale ka rreziqe të mëdha, ku ndodhin edhe anomali të mëdha sociale. Në një farë mënyrë po të vini re njerëzit janë gati të lëshojnë disa nga të drejtat dhe liritë e tyre. Në të gjitha rastet në historinë e njerëzit përvec sistemeve organizative institucionale, instrumenteve që ndihmojnë në përballimin e situatës kanë nevojë edhe për lidership të fortë”, u shpreh sociologu.