U arrestua sot pas dëshmisë së Dumanit, roli i Gjinit në grupin kriminal

Agim Gjini, një tjetër bashkëpunëtor i Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës për grabitjet me armë në Shijak u vu në pranga nga policia pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. 49-vjeçari është një tjetër person i arrestuar pas dëshmisë së Dumanit. Sipas policisë, 49-vjeçari akuzohet për vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal.

Por, çfarë lidhje ka Agim Gjinin me Nuredin Dumanin?

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer se Agim Gjini ishte një nga personat pjesëmarrës në një grabitje në Shijak. Dumani ka thënë se Dorjan Shkoza u kishte dhënë informacion se një person, i identifikuar si Astrit Ademi, mbante shumë para në një çantë gri. Dumani thotë se ai, Talo Çela, Agim Gjini dhe një tjetër person kanë thyer xhamin e makinës, kanë marrë rreth 20 mijë euro dhe janë larguar.

“Grabitja e radhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde. Dori e kishte informacionin se personi mbante lekë me vete në një çantë gri/valixhe. Emrin këtij personi nuk ia mbaj mend. Në këtë grabitje kam qenë unë Talo Çela, Agim Gjini i cili ishte topall nga Durrësit. Gimi ka qenë shofer me një Benz 2500 i vjedhur, ngjyrë blu, me targa të vjedhura. Makinat e vjedhura në atë kohë i linim tek garazhi i Gim Gjinit. Kanë zbritur Talo Cela me ………….. dhe servisi ndodhej në aksin rrugor Maminas-Vorë, servis kamionash. Kemi shkuar aty dhe kemi parë se kishte shumë njerëz. Talo Çela kishte në dorë automatik, unë s’kisha gjë, ndërsa …………… kishte dhe ai kallashinkov. Shkova tek makina e personit një C Class dhe theva xhamin e pasagjerit krahu i shoferit dhe kam kontrolluar makinën në brendësi. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 Euro të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar tek garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët. Me sa mbaj mend kemi marrë rreth 4500 Euro”, thuhet në dosje.

“Nga hetimi rezulton se më datë 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Vorë në pikën e grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit në pronësi të shtetasit Gëzim Mamiu, tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur shtetasit Astrit Ademi që kishte shkuar si klient me mjetin e tij të markës AA887CL, shumën prej 7000 euro dhe një aparat celular të markës samsung me dy karta që i kanë gjetur në xhep si dhe shumën prej 9000 euro, 760.000lek që i kanë marrë në bagazhin e mjetit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar brenda kësaj pike, automjeti Mercedez Benz me i cili është në pronësi të shtetasit Astrit Ademi, banor i Shijakut Durrës”.

SHKARKO APP