U dh*nua nga fqinji, policia: A*ma e efektivit u shkrep në mënyrë të pavullnetshme

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj policit Admir Okaj në afërsi të banesës së tij në zonën e Zdrales në Shkodër. Gjatë konfliktit siç thekson policia është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme arma e policit. “Gjatë konfliktit dyshohet se arma e shërbimit e punonjësit të Policisë është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, por pa shkaktuar dëmtime”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këtë ngjarje po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme.

Okaj u dhunua mesditën e sotme në afërsi të banesës së tij në zonën e Zdrales. Ai është qëlluar me mjete të forta në kokë nga një person që paraprakisht raportohet se është fqinji i tij, por nuk është kapur ende. Efektivi i policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pasi ka marrë mjekim në kokë në spitalin e Shkodrës është larguar ndërsa po jep dëshminë e tij për policinë.

Okaj ka shërbyer për shumë vite me forcat e FNSH në Shkodër ndërsa prej disa kohësh shërben në qarkun e Elbasanit. Policia është duke hetuar ndërsa efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën përreth. Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarjeje.

SHKARKO APP